Secondary Adv

Ministri i Bujqësisë: Ja si do shpërndahen 5.2 mld lekë për fermerët përmes skemës kombëtare

Qeveria rrit mbështetjen për fermerët, me më shumë fonde për blegtorinë dhe grantet për të rinjtë.

Qeveria shqiptare ka miratuar skemën kombëtare mbështetëse për fermerët për vitin 2026, me një fond prej 5.2 miliardë lekësh, që synon nxitjen e investimeve bujqësore në të gjithë vendin. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se skema është hartuar pas një procesi të gjerë konsultimi me fermerët, përmes 23 takimeve të zhvilluara në 12 qarqe të vendit, duke reflektuar nevojat reale të sektorit.

 

Mbështetja përfshin investime në sera, pemë frutorë, vreshta, ndërtimin e stallave, mekanikë bujqësore, linja për përpunimin e produkteve, akuakulturë dhe agroturizëm, duke synuar rritjen e produktivitetit dhe modernizimin e fermave.

 

Grante dhe mbështetje për të rinjtë

Sipas ministrit, fermerët e rinj do të përfitojnë grante deri në 10 mijë euro, kryesisht në sektorin e blegtorisë. Ndërkohë, për ndërtimin e staneve parashikohet një mbështetje deri në 3 milionë lekë, ndërsa për pajisje dhe makineri bujqësore grantet arrijnë në 500 mijë lekë, duke përfshirë edhe pajisjet për ruajtjen e qumështit dhe vajit të ullirit.

 

Rritje e financimeve për blegtorinë

Skema e re sjell rritje të mbështetjes për sektorin e blegtorisë, ku pagesa për gjedhët rritet nga 10 mijë në 12 mijë lekë për kokë, ndërsa për bagëtitë e imta nga 1,200 në 1,500 lekë. Mbështetja për bletarinë dyfishohet, duke arritur në 2,000 lekë për zgjua, me synimin për të rritur numrin e koshereve në vend deri në 1 milion deri në vitin 2027.

 

Për herë të parë përfshihet edhe mbështetje për rritjen e derrave, me një grant prej 7 mijë lekësh për dosë, ndërsa pragjet e përfitimit janë ulur ndjeshëm, duke përfshirë ferma me minimum 5 lopë, 50 krerë të imëta, 25 koshere apo 5 dosa.

 

Fokus te teknologjia dhe sektorët e rinj

Një prioritet i rëndësishëm i skemës është edhe mbështetja për teknologjinë dhe praktikat moderne, ku për kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera financimi arrin deri në 70% të kostos. Po ashtu, mbështetje do të ketë edhe për sektorin e akuakulturës në ujërat e brendshëm, përmes rikthimit të masës për blerjen e rasatit.

 

Fermerët që punojnë mbi 3 hektarë tokë do të përfitojnë 10 mijë lekë për hektar, ndërsa shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor do të mbështeten deri në 100%. Gjithashtu, skema vijon të favorizojë fermat me prodhim organik të certifikuar.

 

Qëllimi i skemës

Sipas ministrit, skema për vitin 2026 synon të konsolidojë mbështetjen në të gjitha hallkat e sektorit bujqësor, duke rritur konkurrueshmërinë, duke ulur kostot për fermerët dhe duke nxitur investimet në sektorë kyç të ekonomisë rurale.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat