Tenderat, në 2025 rreth 62 për qind e ankesave në KPP ishin për vlerësimin e ofertave
Raporti i KPP tregon se shumica e ankesave në 2025 lidhen me vlerësimin e ofertave.
Ankesat përqendrohen te vlerësimi i ofertave
Sistemi i prokurimit publik gjatë vitit 2025 u karakterizua nga një numër i lartë ankesash, të cilat u fokusuan kryesisht në fazën e vlerësimit të ofertave. Sipas raportit vjetor të Komisionit të Prokurimit Publik, në total u regjistruan 1,197 ankesa, ku 99.2 për qind lidhen me procedurat e prokurimit.
Nga këto, 748 ankesa ose 62.5 për qind kishin të bënin me vlerësimin e ofertave, ndërsa rreth 37 për qind lidhen me dokumentet e tenderit, duke treguar se konfliktet kryesore lindin pas hapjes së ofertave.
Shqyrtimi dhe ndërhyrjet
Gjatë vitit, Komisioni shqyrtoi 1,152 ankesa, ndërsa në 291 raste kërkoi ndërhyrje direkte nga autoritetet kontraktore për korrigjimin e procedurave. Në 37 raste të tjera u kërkua ndjekje shtesë për zbatimin e vendimeve, pasi ishin tejkaluar afatet ligjore. Koha mesatare e zbatimit të vendimeve rezultoi 8.8 ditë.
Llojet e kontratave dhe vendimmarrja
Analiza sipas llojit të kontratave tregon se shumica e ankesave lidhen me furnizimin me mallra, që përbën 56.5 për qind të totalit, e ndjekur nga shërbimet me 33.7 për qind dhe punët publike me 9.8 për qind.
Sa i përket vendimmarrjes, Komisioni ka pranuar plotësisht 52 për qind të ankesave, ndërsa 32.6 për qind janë rrëzuar. Pjesa tjetër e çështjeve është mbyllur përmes ndërhyrjes së autoriteteve ose tërheqjes së vetë ankuesve.
Probleme në tenderët e IT-së
Gjatë vitit të kaluar u evidentua edhe një numër i lartë ankesash për tenderët e teknologjisë së informacionit, ku shumë procedura u zvarritën për muaj të tërë dhe shpesh u pezulluan apo u rikthyen për rishqyrtim nga Komisioni.
Shpejtësia e trajtimit të ankesave
Koha mesatare e vendimmarrjes për ankesat u ul në 10 ditë nga 12 ditë një vit më parë, ndërsa rastet e shqyrtuara jashtë afatit ranë në 8.9 për qind. Procedurat për shërbime u trajtuan më shpejt, me një mesatare prej 7 ditësh, krahasuar me 10 ditë për punët publike dhe 12 ditë për furnizimin me mallra.