Rriten rimbursimet e TVSH për 2025, pezullohet pagesa 15 mln euro ndaj Bankers Petroleum
Administrata tatimore rrit pagesat për bizneset, ndërsa një pjesë e madhe mbetet pezull për shkak hetimesh.
Procesi i rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) gjatë periudhës janar–dhjetor 2025 ka shënuar një rritje të ndjeshme, sipas të dhënave të Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së. Megjithatë, një shumë e konsiderueshme prej mbi 1.4 miliardë lekësh, që i përket kompanisë Bankers Petroleum Albania LTD, është pezulluar për shkak të një procesi hetimor në vijim.
Gjatë vitit të kaluar, administrata tatimore trajtoi 2,740 kërkesa për rimbursim me një vlerë totale mbi 45 miliardë lekë. Nga këto, 1,659 kërkesa janë pranuar, ndërsa mbi një mijë të tjera janë refuzuar për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore.
Rritje e pagesave dhe përmirësim i procesit
Shuma totale e rimbursuar arriti në 25,293 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 13.1 për qind krahasuar me vitin 2024. Kjo rritje lidhet me zbatimin e reformave të reja, përfshirë automatizimin e procesit përmes platformave dixhitale dhe ndryshimet në vendimet për kategorizimin e eksportuesve, që mundësojnë rimbursim më të shpejtë për subjektet me risk të ulët.
Koha mesatare e procesimit është mbajtur në rreth 31 ditë, ndërsa më shumë se gjysma e kërkesave janë trajtuar brenda muajit të parë. Rastet me vonesa mbi 120 ditë janë minimale dhe lidhen kryesisht me mospagesën e detyrimeve të sigurimeve nga vetë tatimpaguesit.
Detyrime të pezulluara dhe çështje teknike
Përveç rastit të Bankers Petroleum, në stokun e rimbursimeve të miratuara, por të pa likuiduara, rezulton edhe kompania eksportuese “Occhio Vivo”, me një vlerë prej rreth 6.2 milionë lekësh, e cila është vonuar për shkak të çështjeve teknike.
Administrata tatimore thekson se procesi i automatizimit, i nisur që në vitin 2022, ka rritur transparencën dhe ka garantuar trajtimin e kërkesave sipas rendit kronologjik, duke përfshirë edhe llogaritjen e kamatëvonesave për rastet që tejkalojnë afatet ligjore të rimbursimit.