Ndërtuesit bëhen pesimistë, po na bien porositë, por çmimet do të rriten ndjeshëm
Indeksi i besimit në ndërtim bie ndjeshëm, ndërsa pritjet për çmime arrijnë nivel rekord.
Sektori i ndërtimit po përballet me një situatë kontradiktore, ku ndërtuesit presin rënie të porosive, por njëkohësisht parashikojnë rritje të fortë të çmimeve. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, indeksi i besimit në ndërtim u ul me 4 pikë përqindje në muajin mars, duke zbritur në -11.7 nga 7.68 që ishte në shkurt, niveli më i ulët që nga tetori 2022.
Ky indeks mat pritshmëritë e sektorit për aktivitetin, porositë, çmimet dhe shfrytëzimin e kapaciteteve. Rezultatet tregojnë se balanca për kontratat porositëse është thellësisht negative, në -37, duke reflektuar se shumica e ndërtuesve presin rënie të kërkesës. Ky është niveli më i ulët i regjistruar që nga dhjetori 2021.
Çmime në rritje pavarësisht kërkesës në rënie
Në kundërshtim me logjikën ekonomike, ku rënia e kërkesës zakonisht shoqërohet me ulje çmimesh, ndërtuesit presin një rritje të mëtejshme të çmimeve. Balanca për pritjet e çmimeve arriti në 34, nga 11.3 një muaj më parë, duke shënuar nivelin më të lartë që nga nëntori 2022.
Operatorët e tregut shpjegojnë se kjo lidhet me rritjen e kostove, veçanërisht nga transporti dhe materialet e ndërtimit, të ndikuara nga shtrenjtimi i naftës dhe tensionet në Lindjen e Mesme. Sipas tyre, efekti zinxhir i këtyre zhvillimeve ka qenë më i shpejtë nga sa pritej dhe mund të sjellë pasoja më të gjera nëse kriza zgjat.
Çmimet e banesave dhe ndërtimet në rritje
Të dhënat tregojnë se çmimet e banesave kanë qenë në rritje të fortë në vitet e fundit. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, ato u rritën me 14.6 për qind krahasuar me periudhën pararendëse dhe me 41.7 për qind në raport me vitin 2024. Aktualisht, në Tiranë çmimi mesatar i apartamenteve ka kaluar mbi 2 mijë euro për metër katror.
Ndërkohë, ndërtimet pritet të vijojnë me ritme të larta. Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për periudhën janar–shkurt 2026 arritën në 11.2 miliardë lekë, më shumë se katër herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke sinjalizuar një zgjerim të mëtejshëm të aktivitetit ndërtimor.
Tregu përballet me pasiguri
Zhvillimet në terren tregojnë se Tirana dhe zonat bregdetare janë kthyer në kantiere të mëdha ndërtimi, ndërsa investimet në fshatra turistike po shtohen. Megjithatë, kombinimi i kërkesës në rënie dhe çmimeve në rritje krijon një situatë të pasigurt për të ardhmen e sektorit, ku mbetet e vështirë të parashikohet se si do të zhvillohet tregu në vijim.