Secondary Adv

FMN për Kosovën: Ekonomia u ngadalësua, inflacioni po vazhdon të rritet

Rritja bie në 3.6%, ndërsa çmimet dhe rreziqet politike rëndojnë perspektivën ekonomike.

Ekonomia e Kosovës po përballet me një ngadalësim të ritmit të rritjes dhe rritje të inflacionit, sipas raportit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Bordi Ekzekutiv i FMN vlerëson se aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet, por me ritëm më të ulët, ndërsa pasiguria politike dhe zhvillimet globale po shtojnë presionet mbi ekonominë.

 

Rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto ra në 3.6 për qind në vitin 2025, nga 4.6 për qind një vit më parë, si pasojë e rënies së eksporteve dhe dobësimit të kërkesës nga sektori privat. Kjo u kompensua pjesërisht nga rritja e shpenzimeve dhe investimeve publike.

 

Inflacioni dhe deficiti në rritje

Inflacioni vijon të mbetet në nivele të larta, duke arritur në rreth 5.7 për qind në janar 2026, i nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve. FMN parashikon që inflacioni të rritet në 5.9 për qind gjatë vitit 2026 dhe më pas të bjerë gradualisht në rreth 2 për qind deri në vitin 2028.

 

Ndërkohë, deficiti i llogarisë rrjedhëse u zgjerua në 9.2 për qind të PBB-së në vitin 2025, nga 8.4 për qind një vit më parë, kryesisht për shkak të rritjes së importeve të energjisë dhe ushqimeve. Për vitin 2026, pritet që ky deficit të thellohet edhe më tej, pjesërisht për shkak të ndalimit të përkohshëm të një termocentrali për rehabilitim.

 

Rreziqet dhe faktorët pozitivë

FMN thekson se rreziqet për ekonominë mbeten të prira kah ana negative, duke përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme, pasiguritë në tregtinë globale, luhatjet e çmimeve të mallrave dhe situatën politike në vend, përfshirë proceset institucionale si zgjedhja e presidentit.

 

Megjithatë, një faktor pozitiv mbetet Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, i cili mund të ndikojë në rritjen ekonomike dhe punësim nëse zbatohet në kohë dhe në mënyrë efektive.

 

Rekomandimet për politikat ekonomike

FMN rekomandon që Kosova të ruajë stabilitetin makroekonomik dhe të shmangë zgjerimin e mëtejshëm të shpenzimeve buxhetore në vitin 2026. Gjithashtu sugjerohet rritja e investimeve publike, përmirësimi i menaxhimit të financave publike dhe forcimi i mbikëqyrjes së sektorit bankar.

 

Në aspektin strukturor, raporti thekson nevojën për reforma që rrisin konkurrueshmërinë, ulin papunësinë dhe përmirësojnë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, si dhe për masa për reduktimin e ekonomisë informale dhe përmirësimin e sektorit të energjisë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat