Gati projektligji për kontabilitetin, nga raportimi për qëndrueshmërinë tek transparenca fiskale
Drafti synon përafrimin me BE-në, duke forcuar raportimin financiar, qëndrueshmërinë dhe transparencën fiskale.
Ministria e Financave ka hedhur për konsultim një projektligj të ri për kontabilitetin, i cili parashikon ndryshime të rëndësishme në ligjin aktual nr. 25/2018. Sipas relacionit shoqërues, nisma synon të adresojë mangësitë e evidentuara gjatë zbatimit të ligjit ekzistues, si dhe të përafrojë më tej kuadrin ligjor shqiptar me kërkesat e Bashkimit Europian në fushën e raportimit financiar dhe transparencës.
Ndryshimet fokusohen kryesisht në përmirësimin e cilësisë së raportimit financiar, rritjen e përgjegjësive të drejtuesve dhe forcimin e transparencës fiskale, duke krijuar një sistem më të besueshëm për tregun dhe institucionet.
Raportimi i qëndrueshmërisë për kompanitë e mëdha
Një nga risitë kryesore është formalizimi i raportimit të qëndrueshmërisë, në përputhje me Direktivën (BE) 2022/2464. Ky detyrim do të zbatohet për kompanitë shumë të mëdha, me mbi 1,000 punonjës dhe të ardhura neto mbi 450 milionë euro, dhe pritet të hyjë në fuqi gradualisht deri në vitin 2028.
Kompanitë do të duhet të raportojnë jo vetëm tregues financiarë, por edhe ndikimet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes, duke përfshirë elementë si korrupsioni, ndikimi në komunitet dhe praktikat e menaxhimit. Projektligji parashikon gjithashtu kufizime për kërkesat e informacionit në zinxhirin e vlerës, për të shmangur barrën e tepërt për bizneset më të vogla.
Transparencë më e lartë fiskale
Një tjetër element i rëndësishëm është futja e raportimit publik të tatimit mbi të ardhurat sipas parimit “Country-by-Country”. Ky detyrim, në përputhje me Direktivën (BE) 2021/2101, do të aplikohet për kompanitë që operojnë në disa juridiksione dhe që kanë të ardhura të konsoliduara mbi 750 milionë euro.
Qëllimi i kësaj mase është rritja e transparencës fiskale dhe kufizimi i praktikave të shmangies tatimore, duke e bërë më të qartë se ku dhe sa tatime paguajnë kompanitë shumëkombëshe.
Përmirësime teknike dhe përafrim me standardet ndërkombëtare
Projektligji sjell gjithashtu ndryshime teknike që lidhen me konsolidimin e pasqyrave financiare, unifikimin e terminologjisë ligjore dhe eliminimin e detyrimeve të panevojshme. Këto ndërhyrje synojnë rritjen e sigurisë juridike dhe lehtësimin e zbatimit të ligjit në praktikë.
Relacioni thekson se Shqipëria ka nisur përafrimin me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar që prej vitit 2008, ndërsa ndryshimet e reja synojnë të çojnë më tej këtë proces, duke rritur krahasueshmërinë dhe besueshmërinë e raporteve financiare.