Rritet dhe çmimi i gazit me 10 lekë për litër, arrin në 75 lekë
Çmimi i gazit është rritur të shtunën, pasi Bordi i Transparencës së Hidrokarbureve e la atë jashtë formulës së fiksimit të çmimeve në mbledhjen e fundit, që u zhvillua të premten.
Në pikat e tregtimit me pakicë, një litër gaz po tregtohet me 72-75 lekë për litër, nga 65 lekë për litër që ishte çmimi i fiksuar nga Bordi në mbledhjen e para fundit.
Përpara se të fillonte kriza në Lindjen e Mesme, që shtrenjtoi ndjeshëm energjinë, gazi tregtohej mesatarisht në vend me 55-60 lekë për litër.
Ecuria e tij lidhet me tendencwn nw bursat ndwrkombwtare. Çmimi i gazit natyror në bursat europiane ka shënuar rritje të fortë në ditët e fundit, i ndikuar nga tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjet e furnizimit.
Sipas Reuters, çmimet e gazit në Europë janë rritur ndjeshëm që nga fundi i shkurtit, duke u dyfishuar krahasuar me nivelet para konfliktit, ndërsa kontrata benchmark TTF arriti rreth 74 euro/MWh, niveli më i lartë që nga fillimi i vitit 2023.
Rritja është përshpejtuar në ditët e fundit, ku në disa seanca tregtimi çmimet janë rritur deri në 25–35% brenda një dite, pas sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike në rajon dhe ndërprerjes së furnizimeve me LNG.
Në total, që nga fillimi i konfliktit, çmimet e gazit janë rritur me mbi 50–60%, duke reflektuar pasiguritë mbi ofertën globale dhe nevojën e Europës për të siguruar furnizime për sezonin e ardhshëm.
Ndonëse çmimet e karburanteve dhe gazit në vend, që prej më se një jave fiksohen përmes vendimeve të Bordit të Transparencës, në mbledhjen e fundit të Bordit nuk u morr asnjë vendim për gazin. Operatorët u ankuan se çmimi i tij është shtrenjtuar në Bursa dhe drejtuesit e Bordit thanë që gazi nuk është subjekt i vendimit, duke u lënë atyre hapësirë që të rrisin çmimet.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transporti Rrugor, në vend ka rreth 84 mijë mjete hibride, që përdorin dhe gazin, ose gati 9% e totalit.
Gazi përdoret nga familjarët dhe për gatim e për ngrohje në dimër.