Brenda muajit nis aplikimi i tarifave në Tunelin e Llogarasë, nga 100 deri në 5000 lekë
Gati 1 euro për kilometër do të kushtojë kalimi vajtje-ardhje në tunelin e Llogarasë.
Brenda këtij muaji, për herë të parë që nga hapja e tij, automjetet do të duhet të paguajnë për të përshkruar tunelin 5.9 kilometra të gjatë.
Në terren po bëhen testet e fundit në pajisjet elektronike për pagesën. Kamerat e sigurisë, sistemet elektronike të kontrollit dhe infrastruktura mbështetëse po verifikohen për të garantuar një proces të rregullt në momentin e nisjes së tarifimit.
Çmimet do të jenë të diferencuara sipas kategorive të automjeteve. Pagesa do të nisë nga 100 lekë për motoçikletat dhe maksimumi do të jetë 5000 lekë për mjetet e tonazhit të rëndë. Për autoveturat tarifa e kalimit do të jetë 250 lekë, ose 500 lekë vajtje-ardhje, 500 lekë për mjete me karroceri, 1000 lekë për furgonë dhe autobusë.
Tarifat me parapagim, pra ata me karta të posaçme, pritet të përcaktohen gjithashtu me vendim qeverie, që mund të prekin edhe banorët rezidentë. Ndërsa, kalimi për mjetet e policisë, zjarrfikëses, ushtrisë, ambulancave e për invalidët do të jetë falas.
Menaxhimi i pagesave do të kryhet nga Enti Kombëtar i Operimit Rrugor, një shoqëri aksionere me kapital shtetëror. Tuneli i Llogarasë, me dy kalime, një kryesor dhe një emergjence, u hap në maj të vitit 2025, dhe kalimi në të deri më tani është bërë pa asnjë tarifë.
Për shkeljet me tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, SPAK ka marrë të pandehur ish-zv.kryeministren Belinda Balluku, bashkë me ish-kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, ish-drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve. Të tre akuzohen për shkelje të barazisë me tenderin me vlerë 190 mln euro.