Secondary Adv

46.5 mln euro për mirëmbajtje, ARRSH hap tenderin për rreth 1300 km akse rrugore

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka çelur një tender me vlerë 46.5 milionë euro për mirëmbajtjen me performancë të akseve kryesore rrugore për 4 vitet e ardhshme.

1300 kilometra rrugë në fokus

Me një fond limit prej 4.47 miliardë lekësh, projekti parashikon mirëmbajtjen e mbi 1,300 kilometrave rrugë në të gjithë vendin. Ky investim do të realizohet përmes katër kontratave të ndara sipas rajoneve, duke synuar përmirësimin e standardeve dhe sigurisë në rrjetin kombëtar.

 

Ndarja sipas rajoneve dhe akseve kryesore

Kontrata A, që mbulon rajonin verior, përfshin 242.2 kilometra rrugë me segmente si Milot–Lezhë, Shkodër–Hani i Hotit, Vau i Dejës–Pukë dhe lidhjet drejt Kukësit e Shëngjinit, me një fond rreth 815 milionë lekë. Kontrata B shtrihet në rajonin qendror dhe verilindor me 294.1 kilometra akse, përfshirë lidhjet Tiranë–Rinas–Durrës, Thumanë–Milot dhe rrugët drejt Bulqizës e Peshkopisë, me një fond gati 1.1 miliardë lekë.

 

Ndërkohë, kontrata C mbulon pjesën lindore dhe juglindore me rreth 403 kilometra rrugë, duke përfshirë akse si Elbasan–Qafë Thanë, Korçë–Kapshticë, Librazhd–Qukës dhe Lushnjë–Berat, me një fond limit prej 1.37 miliardë lekësh. Kontrata D përfshin rajonin jugor me 374.1 kilometra rrugë, si Tepelenë–Gjirokastër, Orikum–Himarë–Borsh, Levan–Vlorë dhe lidhjet drejt Konispolit, me një fond rreth 1.2 miliardë lekë.

 

Mirëmbajtje me performancë për standarde më të larta

Modeli i mirëmbajtjes “me performancë” nënkupton që kompanitë fituese do të jenë përgjegjëse për garantimin e cilësisë së rrugëve gjatë gjithë periudhës së kontratës. Kjo përfshin ndërhyrje të vazhdueshme si riparime, pastrim, sinjalistikë dhe mirëmbajtje dimërore në segmentet e nevojshme.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat