Secondary Adv

DPSHTRR nis verifikimin e konsumit të naftës, operatorët kërkojnë 100 lekë për litër kompensim

DPSHTRR ka nisur kontrollin e konsumit dhe faturave të naftës për vitin 2025, ndërsa operatorët kërkojnë kompensim emergjent.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka nisur verifikimin e konsumit të naftës për operatorët e transportit publik për vitin 2025, në një kohë kur sektori është në pritje të miratimit të një pakete emergjence për përballimin e rritjes së kostove.

 

Procesi përfshin llogaritjen e konsumit real të karburantit dhe kontrollin e faturave të deklaruara për blerjen e naftës, si hap paraprak për çeljen e një fondi buxhetor që do të mundësonte kompensimin financiar të operatorëve. Paralelisht, kompanive u është kërkuar të dorëzojnë dokumentacionin përkatës për blerjet e kryera gjatë vitit të kaluar.

 

Kërkohet kompensim 100 lekë për litër

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe ajo e Transportit Urban dhe Interurban kanë rikonfirmuar kërkesën për një kompensim prej rreth 100 lekë për litër naftë për një periudhë 6-mujore, duke argumentuar se kjo është masa minimale për stabilizimin e situatës financiare të sektorit.

 

Në një letër drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Bashkisë së Tiranës, operatorët theksojnë se ekziston dakordësi e plotë për këtë kërkesë dhe se ndërhyrja është e domosdoshme për të shmangur reduktimin e flotës dhe përkeqësimin e shërbimit për qytetarët.

 

Sipas tyre, ky mekanizëm mbështetet edhe në precedentët e vitit 2022, kur qeveria ndërhyri me një paketë antikrizë për sektorin e transportit.

 

Nevojiten rreth 3 milionë euro fond

Përfaqësuesit e sektorit vlerësojnë se për zbatimin e kompensimit nevojitet një fond prej rreth 3 milionë eurosh. Ata theksojnë se në vitin 2022 u përdor një fond prej rreth 300 milionë lekësh për një periudhë 6-mujore dhe se shpenzimet aktuale mbeten në nivele të ngjashme.

 

Sipas tyre, rritja e çmimeve të karburanteve dhe kostot operative kanë krijuar presion të fortë mbi aktivitetin, duke e bërë të vështirë mbajtjen e shërbimit në nivele normale pa ndërhyrje shtetërore.

 

Kërkohet edhe rishikim i taksave

Përveç kompensimit të drejtpërdrejtë për naftën, operatorët kërkojnë edhe një rishikim të barrës fiskale që rëndon mbi sektorin. Në fokus janë akciza, taksa e qarkullimit dhe TVSH-ja, të cilat sipas tyre ndikojnë drejtpërdrejt në kostot e operimit.

 

Qëllimi, sipas shoqatave, është jo vetëm adresimi i situatës aktuale, por edhe krijimi i një strukture më të qëndrueshme për sektorin, në mënyrë që të shmangen kriza të ngjashme në të ardhmen në rast të luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat