Secondary Adv

Anulohet zyrtarisht tenderi për portin e ri tregtar në Porto Romano, publikohet vendimi

Procedura për projektin 393 milionë euro u mbyll pa sukses, pasi kompania e vetme në garë nuk dorëzoi ofertë ekonomike.

Tenderi për ndërtimin e Portit të Ri tregtar në Porto Romano është anuluar zyrtarisht, sipas njoftimit të publikuar në Buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike.

 

Anulimi erdhi pasi kompania e vetme e mbetur në garë, Achirodon, nuk paraqiti ofertë financiare në fazën përfundimtare të procedurës, duke bërë që gara të dështojë.

 

Projekt strategjik me disa tentativa të dështuara

Projekti për ndërtimin e portit të ri, me një vlerë prej rreth 393 milionë euro pa TVSH, është përballur me disa tentativa të pasuksesshme për realizim. Në garën e hapur në dhjetor 2024 morën pjesë pesë konsorciume, por vetëm një prej tyre arriti të kalojë në fazën finale për paraqitjen e ofertës teknike dhe ekonomike.

 

Megjithatë, edhe kjo fazë përfundoi pa rezultat, duke çuar në anulimin përfundimtar të procedurës.

 

Hetime dhe kontestime gjatë procesit

Procesi i tenderimit është shoqëruar edhe me kontestime. Një nga kompanitë pjesëmarrëse paraqiti kallëzim në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kryen kontrolle në zyrat e Autoritetit Portual Durrës, duke sekuestruar dokumentacionin e garës.

 

Rëndësia e projektit për infrastrukturën portuale

Porti i ri tregtar në Porto Romano është konceptuar si një projekt strategjik për modernizimin e infrastrukturës portuale në vend. Ndryshe nga porti aktual i Durrësit, ai parashikon një thellësi më të madhe të basenit, duke mundësuar ankorimin e anijeve më të mëdha dhe rritjen e kapaciteteve përpunuese.

 

Në fazën e parë ishte planifikuar përpunimi i rreth 500 mijë kontejnerëve në vit, krahasuar me rreth 180 mijë që përpunohen aktualisht në portin ekzistues.

 

Anulimi i tenderit krijon paqartësi për ecurinë e mëtejshme të projektit, i cili konsiderohet kyç për zhvillimin e sektorit të transportit dhe logjistikës në vend.

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat