Secondary Adv

Bashkitë lënë 300 mln euro investime të parealizuara në vitin 2025, gati 60 për qind të planit

Vetëm rreth 60 për qind e planit u zbatua, ndërsa mungesa e kapaciteteve dhe projekteve pengon zhvillimin lokal.

Njësitë e qeverisjes vendore në Shqipëri nuk arritën të realizojnë një pjesë të madhe të investimeve të planifikuara për vitin 2025, duke lënë të paekzekutuara rreth 29 miliardë lekë, ose afërsisht 300 milionë euro.

 

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, bashkitë realizuan vetëm rreth 60 për qind të buxhetit të investimeve, ndërsa nga një plan prej rreth 50 miliardë lekësh, u ekzekutuan vetëm 20.7 miliardë lekë, ose më pak se 41 për qind e totalit të planifikuar.

 

Investimet përqendrohen te rindërtimi

Pjesa më e madhe e investimeve të realizuara është fokusuar në projektet e rindërtimit, kryesisht në Tiranë dhe Durrës, për banesa dhe institucione të dëmtuara nga tërmeti, me një vlerë rreth 620 milionë lekë.

 

Kjo ka bërë që sektorë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, si infrastruktura rrugore, ujitja apo projektet që mbështesin biznesin lokal, të mbeten në plan të dytë.

 

Mungesë projektesh dhe kapacitetesh

Sipas ekspertëve të pushtetit vendor, një nga problemet kryesore është fakti që bashkitë shpesh planifikojnë fonde pa pasur projekte teknike të detajuara. Kjo sjell vonesa ose anulime në fazën e tenderimit, për shkak të mungesës së dokumentacionit apo problemeve me pronësinë.

 

Po ashtu, mungesa e stafit të specializuar, si inxhinierë apo ekspertë të prokurimeve, ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e procedurave, duke çuar në skualifikime dhe dështime të përsëritura të tenderëve.

 

Presioni nga shpenzimet korrente

Në shumë raste, bashkitë përballen edhe me probleme likuiditeti dhe mbledhjeje të të ardhurave, çka i detyron të zhvendosin fondet nga investimet drejt mbulimit të shpenzimeve korrente si paga, mirëmbajtje apo karburant.

 

Kjo praktikë redukton më tej realizimin e projekteve kapitale dhe pengon përmirësimin e shërbimeve bazë për qytetarët.

 

Situata tregon një hendek të madh mes planifikimit dhe zbatimit të investimeve në nivel vendor, duke vënë në pikëpyetje eficiencën e menaxhimit financiar dhe ndikimin real të buxheteve në zhvillimin ekonomik lokal.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat