BB e rishikon me ulje, ekonomia shqiptare do rritet në 2026 me ritmet më të ngadalta të 5 viteve
Rritja ekonomike hyn në ritmet më të ulëta të pesë viteve, mes presioneve nga jashtë dhe dobësimit të konsumit.
Banka Botërore ka rishikuar në ulje pritshmërinë për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2026, duke e çuar atë në 3.4 për qind, nga 3.5 për qind që ishte parashikuar më herët. Edhe pse ulja është vetëm 0.1 pikë përqindje, ajo sinjalizon një ngadalësim të mëtejshëm të ekonomisë në një mjedis më sfidues rajonal dhe ndërkombëtar.
Sipas projeksioneve, kjo do të ishte norma më e ulët e rritjes në pesë vitet e fundit. Ekonomia shqiptare është rritur me 4.8 për qind në vitin 2022, me 4 për qind në 2023 dhe 2024, ndërsa për vitin 2025 vlerësohet në rreth 3.9 për qind.
Rritje e moderuar në rajon
Në raportin e fundit të prillit 2026, Banka Botërore vlerëson se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë një rritje mesatare prej 3.1 për qind gjatë viteve 2026-2027, të mbështetur nga eksportet dhe investimet publike, veçanërisht ato infrastrukturore të financuara nga Bashkimi Europian.
Në këtë panoramë, Kosova pritet të kryesojë me një rritje prej 3.7 për qind, e ndjekur nga Shqipëria. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut pritet të rriten me 2.9 për qind, Serbia me 2.7 për qind dhe Bosnjë Hercegovina me 2.5 për qind.
Konsumi dhe investimet në ngadalësim
Sipas raportit, rritja ekonomike në rajon do të vijojë, por me ritme më të moderuara. Konsumi pritet të ftohet për shkak të rritjes më të ngadaltë të pagave, ndërsa investimet do të ndikohen nga zbehja e bumit të ndërtimit të lidhur me turizmin dhe hyrjet më të dobëta të investimeve të huaja direkte.
Mbështetja kryesore për rritjen do të vijë nga eksportet e shërbimeve, veçanërisht turizmi dhe teknologjia e informacionit, si dhe nga investimet publike.
Energjia dhe inflacioni mbeten rrezik
Një tjetër faktor risku mbetet rritja e çmimeve të energjisë, e lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme, e cila pritet të ushqejë inflacionin dhe të ndikojë më shumë shtresat me të ardhura të ulëta. Kjo mund të frenojë rritjen reale të pagave dhe të ngadalësojë procesin e uljes së varfërisë.
Nevoja për reforma dhe diversifikim
Raporti thekson se vendet e rajonit duhet të fokusohen më shumë në politikat industriale dhe tranzicionin e gjelbër për të forcuar sigurinë energjetike dhe për të përmirësuar konkurrueshmërinë.
Sipas Bankës Botërore, rritja e qëndrueshme nuk mund të mbështetet vetëm te konsumi, ndërtimi apo turizmi, por kërkon një bazë më të gjerë prodhuese dhe më shumë diversifikim ekonomik.