Secondary Adv

Autostrada Tiranë-Durrës, Karakaçi: Loti 1 hapet javën e parë të majit, do rivendosim 5 mbikalime

Loti i parë i segmentit drejt Rinasit përfundon në fillim të majit, ndërsa vijojnë projektet për lehtësimin e trafikut.

Punimet në pjesën e parë të autostradës Tiranë-Durrës, deri tek mbikalimi i Rinasit, pritet të përfundojnë brenda javës së parë të muajit maj, duke mundësuar hapjen e plotë të këtij segmenti për qarkullim.

 

Gjatë një inspektimi në terren, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, theksoi rëndësinë strategjike të këtij aksi, si një lidhje kyçe mes portit të Durrësit dhe Morinës, si dhe për aksesin drejt Tiranës dhe zhvillimin e turizmit.

 

Projekte të tjera në vijim

Ministri bëri të ditur se paralelisht me këtë segment po vijon puna edhe për projekte të tjera të rëndësishme infrastrukturore, si Bypassi i Tiranës dhe segmenti Kashar-Lekaj, të cilat synojnë të përmirësojnë ndjeshëm qarkullimin.

 

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, sqaroi se punimet për Bypassin e Tiranës janë ende në fazat fillestare, me rreth 20 për qind të realizimit, por pritet që në përfundim të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e trafikut.

 

Rikthehen mbikalimet për këmbësorët

Në kuadër të zgjerimit të autostradës, autoritetet kanë planifikuar edhe rikthimin e pesë mbikalimeve për këmbësorët, të cilat janë pjesë e projektit të ri për sigurinë dhe funksionalitetin e aksit. Aktualisht, vetëm dy prej tyre janë në funksion.

 

Sipas Autoritetit Rrugor, zgjerimi i autostradës kërkon ndërhyrje të thelluara edhe në këto struktura, ndaj ato do të rindërtohen dhe përshtaten me standardet e reja.

 

Ndërhyrje të kufizuara në qarkullim

Punimet do të vijojnë edhe në mbikalimet e Laknasit dhe Rinasit, por ndërprerjet e qarkullimit do të jenë minimale. Sipas autoriteteve, kufizimet do të shtrihen vetëm në një segment prej rreth 200 metrash në korsinë e tretë, pa ndikuar ndjeshëm në trafikun e përgjithshëm.

 

Një tjetër projekt që pritet të nisë është ai i “arredimit urban” të autostradës, i cili përfshin gjelbërimin, përmirësimin e ndriçimit dhe elementët akustikë, duke synuar një infrastrukturë më moderne dhe funksionale.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat