Prodhimi nga privatët arriti mbi 4.0 mln MWh, rritet në 11 për qind pesha e fotovoltaikëve
Prodhimi privat dominon energjinë vendase, ndërsa rritja e impianteve diellore ndryshon strukturën e tregut.
Prodhimi i energjisë elektrike nga operatorët privatë në vend ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke kaluar mbi 4 milionë MWh dhe duke zënë pjesën më të madhe të prodhimit vendas. Sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Energjisë, prodhimi total neto në vend arriti në 7,467,589 MWh, nga të cilat 3,452,265 MWh u prodhuan nga KESH dhe 4,015,324 MWh nga prodhues të tjerë.
Kjo do të thotë se pesha e prodhuesve privatë dhe të pavarur ka arritur në 53.8 për qind të totalit, në rritje të ndjeshme nga 44.3 për qind që ishte një vit më parë. Në të njëjtën kohë, pesha e KESH ka rënë në 46.2 për qind, nga 55.7 për qind në vitin 2024.
Rritje e fortë e energjisë diellore
Një nga zhvillimet më të spikatura është zgjerimi i shpejtë i prodhimit nga impiantet fotovoltaike. Në vitin 2025, energjia diellore përbën 11 për qind të prodhimit total vendas, nga 6.4 për qind në vitin 2024 dhe vetëm 1 për qind në vitin 2023.
Kjo rritje lidhet me hyrjen në prodhim të një sërë impiantesh të mëdha, përfshirë parkun fotovoltaik të Karavastasë dhe projekte të tjera të realizuara nga investitorë vendas dhe të huaj.
Kapacitetet dhe shpërndarja në rrjet
Sipas raportit, kapaciteti i instaluar i centraleve të lidhura në rrjetin e transmetimit arrin në rreth 2,905 MW, me një prodhim neto prej 6,402 GWh. Ndërkohë, centralet e lidhura në rrjetin e shpërndarjes kanë një kapacitet prej rreth 570 MW dhe prodhim neto prej 1,065 GWh.
Vetëm impiantet fotovoltaike kanë arritur një kapacitet të instaluar prej 631.07 MW, që përbën rreth 18 për qind të kapacitetit total në vend, ndërsa prodhimi i tyre ka arritur në 832.3 GWh.
Zgjerim i vazhdueshëm i sektorit
Në fund të vitit 2025, në vend operonin 52 centrale fotovoltaike, me një rritje të vazhdueshme vit pas viti. Prej tyre, 42 kanë kontrata për shitjen e energjisë me Furnizuesin e Tregut të Lirë, ndërsa pjesa tjetër operon në treg të hapur.
Zhvillimet tregojnë një transformim gradual të sektorit energjetik, ku roli i prodhuesve privatë dhe burimeve të rinovueshme po bëhet gjithnjë e më dominues në strukturën e prodhimit vendas.