Secondary Adv

Shqipëria, e fundit në Europë dhe Azi për politika industriale në 15 vitet e fundit

Banka Botërore thekson mungesën e ndërhyrjeve shtetërore për zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë në vend.

Shqipëria është renditur e fundit mes 21 vendeve të Europës dhe Azisë Qendrore për ndërmarrjen e politikave industriale gjatë 15 viteve të fundit, sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore mbi zhvillimet ekonomike në rajon.

 

Raporti evidenton se vendi ka pasur një nivel minimal, pothuajse zero, të ndërhyrjeve të synuara në sektorë specifikë, si në periudhat normale ashtu edhe gjatë krizave globale si pandemia apo rritja e çmimeve pas vitit 2022.

 

Mungesë strategjie për industrinë

Në dallim nga vende si Serbia, Polonia apo Turqia, të cilat kanë zbatuar politika aktive për të mbështetur sektorë të caktuar, Shqipëria nuk ka zhvilluar strategji të mirëfilltë për industrinë apo teknologjinë. Madje, sipas raportit, ajo renditet më dobët edhe se vende si Moldavia dhe Azerbajxhani.

 

Kjo situatë lidhet me modelin ekonomik të vendit, i cili mbështetet kryesisht te shërbimet dhe konsumi, ndërkohë që ka një varësi të lartë nga importet dhe një bazë të kufizuar prodhuese.

 

Fokus te turizmi dhe ndërtimi

Ekonomia shqiptare mbetet e përqendruar në sektorë si turizmi dhe ndërtimi, të cilët rregullohen kryesisht përmes politikave fiskale dhe lejeve administrative, dhe jo përmes politikave industriale apo tregtare të drejtpërdrejta.

 

Në kontrast, vendet e tjera në rajon kanë ndërhyrë në sektorë strategjikë si energjia, makineritë dhe industria prodhuese, duke synuar forcimin e eksporteve dhe zëvendësimin e importeve.

 

Rritje e ndërhyrjeve në rajon

Pas pandemisë, ndërhyrjet e qeverive në politikat industriale dhe tregtare janë rritur ndjeshëm në rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore. Rreth një e treta e vendeve kanë zbatuar masa të reja gjatë periudhës 2022-2025, me një intensitet më të lartë se në dekadën e mëparshme.

 

Kjo reflekton përpjekjet për të mbrojtur industritë vendase dhe për të siguruar zinxhirët e furnizimit në një mjedis gjeopolitik të pasigurt.

 

Ballkani Perëndimor me profil të dobët

Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi paraqiten me nivelin më të ulët të ndërhyrjeve, ndërsa Serbia shfaq një qasje më aktive, me rritje të vazhdueshme të politikave industriale, sidomos në periudhën 2022-2025.

 

Raporti nënvizon se mungesa e një strategjie të qartë industriale mund të kufizojë potencialin afatgjatë të rritjes dhe të bëjë ekonominë më të ndjeshme ndaj goditjeve të jashtme.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat