Investimet private ne Shqiperi i janë rikthyer rritjes gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për tetëmujorin importi i makinerive dhe pajisjeve kishte vlerën e 62.1 miliardë lekëve, në rritje me 8.2% kundrejt të njëtës periudhë të vitit të kaluar.
Importi i makinerive dhe pajisjeve është treguesi kryesor i tërthortë për ecurinë e investimeve private në ekonomi. Rritja e tyre konfirmohet edhe nga përmirësimi i kredisë për investime dhënë biznesit. Sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave, kredia për investime në fund të Korrikut kishte vlerën e 92.8 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 5.5%. Investimet private janë një ndër elementët kryesorë përbërës të kërkesës agregate, së bashku me konsumin, shpenzimet publike dhe eksportet neto.
Permisimi i konsumit
Përveç investimeve private, këtë vit rritja ekonomike po mbështetet nga një përmirësim i konsumit, siç tregojnë rritja e shitjeve me pakicë, e importeve dhe e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Kërkesa më e mirë konsumatore ka nxitur edhe rritjen e investimeve të sipërmarrjeve. Edhe shpenzimet publike janë në nivele të larta, por për efekt të shlyerjes së detyrimeve të papmbetura, ndërsa realizimi i investimeve të reja është në nivele të ulëta. I vetmi element që po jep efekt negative në rritjen ekonomike është pozicioni i jashtëm, ku rritja e importeve dhe ngadalësimi i rritjes së eksporteve e ka ulur kontributin e këtij segmenti. Pritshmëritë e institucioneve të specializuara janë që rritja ekonomike në tremujorin e dytë të vitit të jetë më e lartë se niveli prej 1.65% i tremujorit të parë.