Qeveria riformaton programin pas shkolle, pagesa 1 mijë lekë/orë për mësuesit
Qeveria ka miratuar ndryshime në vendimin nr. 606, datë 14 shtator 2022, duke ristrukturuar programin e aktiviteteve jashtë orarit mësimor dhe duke e riemërtuar atë zyrtarisht si programi “pas shkolle”.
Sipas ndryshimeve të miratuara, programi “pas shkolle” përkufizohet si një paketë e strukturuar veprimtarish që zhvillohen jashtë orarit të detyruar mësimor, me fokus në përforcimin e të nxënit dhe zhvillimin e aftësive edukative, sociale, sportive, kulturore dhe krijuese të nxënësve. Ai do të zbatohet si në arsimin bazë, ashtu edhe në arsimin e mesëm të lartë.
Mësuesit dhe trajnerët do të paguhen me 1 000 lekë për çdo orë mësimore të zhvilluar jashtë orarit të detyruar nga 500 lekë që parashikonte vendimi i mëparshëm, duke synuar kështu të rrisë motivimin dhe angazhimin e tyre në program.
Me hyrjen në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, vendimi i ri i hap rrugë një qasjeje më të unifikuar dhe të orientuar drejt zhvillimit gjithëpërfshirës të nxënësve përtej orarit mësimor tradicional. Disa shkolla kanë njoftuar se do të aplikojnë nga viti i ardhshëm programet “after school”.