Bordi i Transparencës rrit çmimin e naftas 217 lekë/liter dhe benzina 176 lekë/litër
Bordi i Transparencës vendosi në mbledhjen e datës 10 prill 2026 rritjen e çmimeve tavan për karburantet në tregun vendas.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin do të jetë 217 lekë/litër, ndërsa për benzinën 176 lekë/litër.
Në të njëjtën kohë, për tregun me shumicë, gazoili do të shitet deri në 205 lekë/litër dhe benzina deri në 164 lekë/litër. Vendimi hyn në fuqi menjëherë, nga ora 18:00 e datës 10 prill, dhe do të qëndrojë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të reflektohen luhatjet e reja të tregut ndërkombëtar.
Krahasuar me vendimet e mëparshme, këto nivele sinjalizojnë një stabilizim relativ të çmimeve, pas luhatjeve të forta të javëve të fundit, të nxitura kryesisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të naftës dhe tensionet gjeopolitike.
Autoritetet kanë theksuar detyrimin e të gjithë operatorëve të tregtimit të nënprodukteve të naftës për të zbatuar çmimet e përcaktuara, duke paralajmëruar masa të forta ndëshkuese në rast shkeljesh, deri në pezullim aktiviteti. Ky mekanizëm mbetet një nga instrumentet kryesore të ndërhyrjes së shtetit për të kontrolluar çmimet në treg dhe për të shmangur abuzimet.
Ndërkohë, një element i rëndësishëm në këtë vendimmarrje lidhet me zbatimin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, i cili parashikon uljen e akcizës në 80% në rast se çmimet e karburanteve tejkalojnë kufijtë prej 220 lekë/litër për gazoilin dhe 200 lekë/litër për benzinën. Duke qenë se çmimet aktuale janë nën këto pragje, akciza do të vijojë të aplikohet në nivelin e plotë, 100%.