Secondary Adv

Bordi rrit sërish çmimin e naftës e çon në 215 lekë/litër

Vendimi i ri hyn në fuqi menjëherë, ndërsa akciza mbetet në nivel të plotë për shkak të çmimeve nën kufirin e përcaktuar.

Bordi i Transparencës ka vendosur të rrisë sërish çmimin e karburanteve, duke e çuar naftën në 215 lekë për litër, një rritje prej 6 lekësh krahasuar me vendimin e mëparshëm.

 

Sipas njoftimit zyrtar, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 nuk duhet të jetë më shumë se 215 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë është përcaktuar në maksimum 203 lekë për litër.

 

Ndërkohë, çmimi i benzinës në pakicë është vendosur në 178 lekë për litër dhe në 166 lekë për litër për shitjen me shumicë.

 

Vendimi hyn menjëherë në fuqi

Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi më 14 prill në orën 15:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të rishikohen sërish në varësi të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare.

 

Autoritetet kanë paralajmëruar se çdo shkelje nga operatorët në zbatimin e çmimeve të përcaktuara do të ndëshkohet me pezullim të aktivitetit.

 

Akciza mbetet 100%

Sipas sqarimit të bërë nga institucionet, niveli i akcizës për karburantet do të vijojë të zbatohet i plotë, pasi çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar nga akti normativ i miratuar së fundmi.

 

Ky akt parashikon uljen e akcizës në 80% vetëm në rastet kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër ose ai i benzinës 200 lekë për litër. Duke qenë se çmimet aktuale janë poshtë këtyre niveleve, nuk aktivizohet lehtësimi fiskal.

 

Autoritetet: Synojmë mbrojtjen e konsumatorëve

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë deklaruar se janë të angazhuara për të mbrojtur interesat e konsumatorëve dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme në treg.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat