Buxheti i shtetit arkëtoi të paktën 3.3 mln euro më shumë TVSH në mars, nga shtrenjtimi i naftës
Rritja e çmimeve të karburantit ka shtuar ndjeshëm të ardhurat e shtetit, ndërsa konsumatorët kanë paguar miliona euro më shumë nga xhepi.
Shtrenjtimi i naftës gjatë muajit mars ka sjellë një rritje të ndjeshme të të ardhurave për buxhetin e shtetit, veçanërisht nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe akciza, ndërkohë që përdoruesit e automjeteve kanë përballuar kosto më të larta.
Sipas të dhënave zyrtare të doganave, importet e naftës në mars arritën në 53.6 mijë ton, me një rritje të lehtë prej 2.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, rritja e çmimeve ka ndikuar shumë më tepër në të ardhurat fiskale.
TVSH e mbledhur në doganë nga nafta arriti në 1.93 miliardë lekë, duke u rritur me 22%, ose 359 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Duke përjashtuar efektin e rritjes së importeve, rreth 320 milionë lekë, ose afërsisht 3.3 milionë euro, lidhen drejtpërdrejt me rritjen e çmimeve.
Efekti i plotë i TVSH-së arrin mbi 4 milionë euro
Kjo shifër përfaqëson vetëm TVSH-në e mbledhur në doganë, ndërsa në çmimin final shtohen edhe kostot operative dhe fitimi i operatorëve, mbi të cilat gjithashtu llogaritet TVSH. Si rrjedhojë, të ardhurat shtesë nga TVSH për shkak të rritjes së çmimeve arrijnë rreth 4.3 milionë euro.
Të dhënat tregojnë se vetëm nga diferenca e çmimit të importit, TVSH për litër është rritur ndjeshëm. Në fund të shkurtit, ajo ishte rreth 25 lekë për litër, ndërsa në mars arriti në rreth 34 lekë për litër, një rritje prej 9 lekësh për çdo litër naftë.
Të ardhurat kompensojnë uljen e akcizës
Përveç TVSH-së, buxheti ka arkëtuar më shumë edhe nga akciza, e cila u rrit me 1.5% në janar, duke arritur në 39.4 lekë për litër pa TVSH. Në mars, të ardhurat nga akciza u rritën me 8.76%, më shumë sesa ritmi i rritjes së importeve.
Qeveria kishte parashikuar që, nëse çmimi i naftës kalon mbi 220 lekë për litër, akciza të ulet me 20%, duke kursyer rreth 9.4 lekë për litër. Megjithatë, kjo masë u aplikua vetëm për disa ditë dhe, sipas të dhënave, të ardhurat shtesë nga TVSH do ta kompensonin plotësisht këtë ulje.
Konsumatorët paguan 11 milionë euro më shumë
Ndërkohë që buxheti përfiton nga rritja e çmimeve, konsumatorët kanë përballuar një barrë më të madhe financiare. Konsumi i naftës në mars arriti në 35.8 mijë ton, ose rreth 42.4 milionë litra.
Për këtë sasi, qytetarët kanë shpenzuar rreth 8.5 miliardë lekë, ose 87 milionë euro, me një çmim mesatar prej 200 lekë për litër. Nëse çmimi do të kishte mbetur në nivelin e shkurtit prej 175 lekësh, shpenzimi total do të ishte rreth 11 milionë euro më i ulët.
Kjo tregon se, ndërsa shteti rrit të ardhurat nga taksat, efekti i drejtpërdrejtë i shtrenjtimit të karburantit bie mbi buxhetet familjare dhe bizneset.