Miliarda euro për transportin, cilat janë projektet kryesore deri në 2030
Rreth 7.9 miliardë euro investime janë planifikuar për infrastrukturën, me fokus korridoret europiane, hekurudhat dhe portet.

Shqipëria pritet të ndërmarrë një valë të madhe investimesh në sektorin e transportit deri në vitin 2030, me synim forcimin e lidhjeve rajonale dhe integrimin në Rrjetin Trans-Evropian të Transportit (TEN-T). Ky rrjet përfshin rrugët, hekurudhat, portet dhe aeroportet, duke garantuar lëvizshmëri më të shpejtë dhe më efikase sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Korridori Adriatiko-Jonian, investimi më i kushtueshëm
Një nga projektet më të mëdha është zhvillimi i Korridorit Adriatiko-Jonian, ku disa segmente arrijnë kosto shumë të larta. Segmenti Murricani–Lezhë (Balldren) parashikohet me rreth 469.4 milionë euro, Milot–Balldren me 364 milionë euro, ndërsa Kashar–Pezë–Lekaj arrin në 465.8 milionë euro. Segmenti Lekaj–Konjat–Fier vlerësohet me 320 milionë euro, ndërsa projekte të tjera si Poçem–Memaliaj me 597 milionë euro dhe Memaliaj–Ura e Subashit me 260 milionë euro e çojnë këtë korridor në një nga më të shtrenjtët në vend.
Këto ndërhyrje synojnë të përmirësojnë ndjeshëm lidhjen veri-jug dhe të rrisin rolin e Shqipërisë si nyje tranziti në rajon.
Korridori VIII dhe bypass-et urbane
Paralelisht, zhvillimi i Korridorit VIII përfshin investime të rëndësishme në rrugë dhe hekurudha. Segmentet Elbasan–Lekaj me 360 milionë euro dhe Elbasan–Librazhd–Qafë Thanë me 280 milionë euro janë ndër projektet kyçe.
Ndërkohë, bypass-et urbane si ai i Tiranës me 223 milionë euro dhe Elbasanit me 264.5 milionë euro synojnë të lehtësojnë trafikun dhe të përmirësojnë qarkullimin në zonat më të ngarkuara.
Rikthimi i hekurudhës në fokus
Strategjia parashikon investime të mëdha edhe në sektorin hekurudhor, duke synuar rikthimin e tij si një alternativë kryesore transporti. Projekti Durrës–Prishtinë parashikohet me rreth 750 milionë euro, ndërsa rehabilitimi i linjës Rrogozhinë–Pogradec–kufi me Maqedoninë e Veriut arrin në 541 milionë euro.
Projekte të tjera përfshijnë linjën Pogradec–Korçë–kufi me Greqinë me 250 milionë euro dhe lidhjen hekurudhore me aeroportin e Vlorës me 220 milionë euro. Ndërkohë, investimet në linjat ekzistuese si Durrës–Rrogozhinë dhe zhvillimi i terminaleve në Tiranë plotësojnë këtë paketë transformuese.
Portet dhe infrastruktura kombëtare
Edhe sektori portual është pjesë e rëndësishme e kësaj strategjie. Faza e parë e Porto Romanos parashikohet me rreth 390 milionë euro, ndërsa zhvillimi i portit të Vlorës dhe projekte të tjera logjistike synojnë të rrisin kapacitetet dhe integrimin me rrjetin europian.
Në infrastrukturën rrugore kombëtare përfshihen edhe projekte si zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës me 244 milionë euro, si dhe segmente të tjera si Milot–Rrëshen dhe Fier–Frataj, që synojnë përmirësimin e aksesit dhe sigurisë rrugore.
Rreth 7.9 miliardë euro investime në total
Në total, projektet madhore të parashikuara arrijnë në rreth 7.5 miliardë euro dhe përbëjnë pjesën kryesore të investimeve prej afro 7.9 miliardë euro të planifikuara në Strategjinë e Transportit 2030. Kjo paketë investimesh pritet të transformojë infrastrukturën shqiptare dhe të rrisë ndjeshëm rolin e vendit në rrjetin rajonal dhe europian të transportit.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)