Paratë cash në kufi, dogana mund të bllokojë edhe shuma nën 10 mijë euro kur ka dyshime
Projektligji i ri për pastrimin e parave forcon kontrollet, duke lejuar bllokim të përkohshëm edhe për shuma më të vogla kur ka dyshime për aktivitet kriminal.
Projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave”, i hedhur në konsultim publik, parashikon rregulla më të forta për transportimin e parave cash në kufi. Sipas draftit, autoritetet doganore do të kenë të drejtë të ndërhyjnë jo vetëm për shuma mbi pragun prej 10 mijë euro, por edhe për shuma më të vogla, nëse ekzistojnë dyshime se ato lidhen me veprimtari kriminale.
Bllokim edhe për shuma nën pragun ligjor
Në rastet kur zbulohet një person që mban një shumë cash nën 10 mijë euro dhe ka indicie për lidhje me aktivitete të paligjshme, doganat do të regjistrojnë të gjitha të dhënat njësoj si për rastet mbi këtë kufi. Në këto situata, autoritetet mund të vendosin bllokimin e përkohshëm të shumës përmes një vendimi administrativ.
Periudha fillestare e bllokimit nuk mund të zgjasë më shumë se 30 ditë. Pas një vlerësimi të mëtejshëm mbi nevojën dhe proporcionalitetin, kjo periudhë mund të zgjatet deri në 90 ditë. Nëse nuk merret një vendim për zgjatje ose nëse rrethanat nuk e justifikojnë bllokimin, paratë duhet të kthehen menjëherë te personi përkatës.
Gjobat për mosdeklarim mbi 10 mijë euro
Projektligji parashikon gjithashtu masa të qarta ndëshkuese për rastet e mosdeklarimit të shumave mbi 10 mijë euro në kufi. Gjobat do të llogariten si përqindje e shumës së padeklaruar: 30 për qind për shuma deri në 20 mijë euro, 40 për qind për shuma deri në 50 mijë euro dhe 50 për qind për shuma mbi këtë nivel. Në çdo rast, gjoba minimale nuk mund të jetë më pak se 500 euro.
Procedura dhe verifikimet
Autoritetet doganore kanë të drejtë të bllokojnë përkohësisht paratë deri në momentin kur dërguesi, marrësi ose përfaqësuesi i tyre të plotësojë deklaratën informuese, e cila duhet të përmbajë të dhëna të detajuara për të gjitha palët e përfshira.
Për të garantuar zbatimin e ligjit, doganat do të vijojnë kontrollet fizike të individëve, bagazheve dhe mjeteve të transportit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Rastet me dyshime penale
Nëse autoritetet dyshojnë se mosdeklarimi lidhet me pastrim parash ose financim terrorizmi, çështja i kalon organeve të drejtësisë. Dosja përkatëse dhe kallëzimi penal do të transferohen brenda 72 orëve nga momenti i konstatimit të shkeljes për procedim të mëtejshëm.