Secondary Adv

BE nis pagesën e parë prej 61.8 mln euro për Kosovën në kuadër të Planit për Rritje

Komisioni Europian transferon fondet e para për Kosovën, në kuadër të paketës prej 882.6 milionë eurosh deri në 2027.

Bashkimi Europian ka nisur pagesën e parë të mjeteve për Kosovën në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, duke transferuar 61.8 milionë euro si parafinancim. Kosova ishte vendi i fundit në rajon që përfiton nga ky instrument, për shkak të vonesave të mëparshme institucionale si pasojë e bllokadës politike.

 

Ky disbursim vjen pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjeve të lidhura me planin dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga qeveria, duke i hapur rrugë fillimit të financimeve nga Komisioni Europian.

 

Si do të shpërndahen fondet

Parafinancimi prej 61.8 milionë euro përfaqëson rreth 7 për qind të paketës totale prej 882.6 milionë eurosh, që Kosova pritet të përfitojë deri në fund të vitit 2027 në formë grantesh dhe kredish të favorshme.

 

Nga kjo shumë, 28.74 milionë euro janë transferuar menjëherë si kredi në buxhetin e Kosovës, ndërsa pjesa tjetër prej 33.04 milionë euro do të kanalizohet përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), ku përfshihen 17.73 milionë euro grante dhe 15.31 milionë euro kredi.

 

Këto fonde synojnë të mbështesin zbatimin e Agjendës së Reformave dhe projektet kryesore infrastrukturore në vend.

 

Reformat kushtëzojnë pagesat

Në kuadër të këtij plani, Kosova është angazhuar të zbatojë 111 hapa reformues në fusha kyçe si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.

 

Afati i parë përfshin 13 reforma me një vlerë totale prej 90.8 milionë eurosh, që duhet të realizohen deri më 30 qershor 2026. Deri në fund të vitit, pritet të përmbushen edhe 27 hapa të tjerë, me një vlerë prej 165.9 milionë eurosh.

 

BE thekson se disbursimi i mëtejshëm i fondeve do të varet drejtpërdrejt nga përmbushja e këtyre reformave brenda afateve të përcaktuara.

 

Mbështetje për integrimin europian

Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, theksoi se ky plan është një mundësi konkrete për përshpejtimin e reformave dhe afrimin e ekonomisë së Kosovës me tregun e përbashkët europian.

 

Ndërkohë, Kryeministri Albin Kurti deklaroi se qeveria është e përkushtuar për të zbatuar në kohë Agjendën e Reformave dhe për të shfrytëzuar maksimalisht mbështetjen financiare të BE-së, pavarësisht vonesave të mëparshme.

 

Bashkimi Europian mbetet një nga donatorët më të mëdhenj për Kosovën që prej vitit 1999, ndërsa përmes këtij plani synohet përshpejtimi i reformave dhe integrimi gradual në tregun europian.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat