Secondary Adv

Mungesa e fuqisë punëtore, Shqipëria lehtëson procedurat, ndryshon rregullorja për të huajt

Qeveria miraton ndryshime që thjeshtojnë aplikimet dhe përshpejtojnë punësimin e shtetasve të huaj.

Qeveria shqiptare ka miratuar një paketë të gjerë ndryshimesh në rregulloren për të huajt, me synim uljen e burokracisë, rritjen e transparencës dhe përafrimin me standardet europiane në administrimin e migracionit dhe tregut të punës. Vendimi i publikuar në Fletoren Zyrtare sjell një qasje më të thjeshtë dhe funksionale për të huajt që hyjnë, qëndrojnë apo punojnë në Shqipëri.

 

Dixhitalizim dhe procedura më të shpejta

Në thelb të reformës është dixhitalizimi i shërbimeve, ku një pjesë e madhe e aplikimeve do të kryhen online përmes portalit “e-Albania”. Autoritetet përgjegjëse për kufirin dhe migracionin do të kenë afate më të shkurtra verifikimi, duke reduktuar ndjeshëm kohën e pritjes për aplikantët.

 

Një risi e rëndësishme është pajisja me leje provizore brenda një dite pune për çdo të huaj që aplikon për leje qëndrimi, duke garantuar qëndrimin e ligjshëm deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

 

Rregulla të reja për dokumentacionin

Ndryshimet prekin edhe standardizimin e dokumenteve. Janë përcaktuar më qartë kriteret për fotografitë biometrike dhe shtohet detyrimi për vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore.

 

Dokumentet financiare tashmë mund të dorëzohen në shqip ose anglisht dhe pranohet edhe ekuivalenti në euro për shumën minimale prej 300 mijë lekësh në vit për jetesë. Në disa raste kërkohet edhe paraqitja e biletës vajtje-ardhje si pjesë e dosjes.

 

Fokus te tregu i punës

Vendimi sjell rregulla më të qarta edhe për punësimin e të huajve, duke përfshirë procedura të dedikuara për kategori të caktuara si punëtorët e shtëpisë. Për këta dhe kategori të tjera kërkohet miratim online nga Agjencia Kombëtare e Punësimit.

 

Të huajt duhet të regjistrohen në sistemin e shërbimeve të punësimit brenda 10 ditëve nga pajisja me kartë biometrike, ndërsa për profesionet e rregulluara kërkohet dëshmi e kualifikimeve përmes diplomave dhe certifikatave.

 

Lehtësira për rinovime dhe familjarë

Ndryshimet sjellin lehtësime edhe për rinovimin e lejeve të qëndrimit dhe bashkimin familjar. Dokumentet nga vendi i origjinës nuk kërkohen më në çdo rast, ndërsa në mungesë të tyre mund të përdoren deklarata noteriale të bëra në Shqipëri.

Për të miturit kërkohet miratim nga të dy prindërit, duke rritur sigurinë juridike të procedurave.

 

Procedura të reja për shtetasit e BE-së

Vendimi përcakton edhe rregulla të qarta për shtetasit e Bashkimit Europian që qëndrojnë në Shqipëri më shumë se tre muaj. Ata do të pajisen me certifikatë regjistrimi pa pagesë përmes aplikimit online, ndërsa familjarët e tyre jo nga BE do të përfitojnë kartëqëndrim me procedura të përshpejtuara.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat