Secondary Adv

Koçiu me banorët e kompleksit të shkrumbuar nga flakët: Bonus qiraje deri në rindërtimin e plotë

Zv.kryeministrja garanton mbështetje për familjet e prekura, ndërsa hetimet për zjarrin vijojnë.

Zv.kryeministrja Albana Koçiu zhvilloi një takim me banorët e pallatit 12-katësh që u përfshi nga flakët pak ditë më parë, ku një pjesë e apartamenteve u shkatërruan nga zjarri. Gjatë takimit, ajo bëri të ditur se familjet e prekura do të përfitojnë bonus qiraje deri në përfundimin e plotë të rindërtimit të godinës.

 

Koçiu theksoi se aktualisht nuk mund të jepen afate të sakta për përfundimin e punimeve, pasi hetimet për shkaqet e zjarrit nuk janë mbyllur ende. Sipas saj, institucionet janë të angazhuara për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës dhe nuk ka pasur neglizhencë në reagimin institucional.

 

“Nuk jap dot afate për mbylljen e punimeve, pasi ende nuk është mbyllur hetimi. Askush nuk po neglizhon, po përpiqemi që gjëja të zgjidhet sa më shpejt. Duhet të kuptojmë shkakun nga se ka ardhur zjarri, se mund të ketë edhe përgjegjës”, u shpreh ajo.

 

Leja e ndërtimit brenda një muaji

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, deklaroi se po punohet që brenda një muaji të sigurohet leja për nisjen e punimeve. Sipas saj, procesi do të nisë pasi të përfundojë inventarizimi i plotë i dëmeve në ndërtesë.

 

Ajo shtoi se brenda një jave pritet të ketë një panoramë më të qartë për afatet e rindërtimit, pas vlerësimeve të detajuara në terren.

 

Kompania merr përsipër dëmet

Administratorja e kompleksit bëri me dije se kompania është e gatshme të mbulojë dëmet dhe të marrë përgjegjësitë për rindërtimin e objektit. Ajo theksoi se do të formalizohen marrëveshjet përkatëse përmes noterit, në mënyrë që procesi të jetë i rregullt dhe transparent.

 

Hetimet dhe arrestimet

Për ngjarjen janë arrestuar katër persona, ndërsa pronari i kompanisë “Arlis”, Armand Lilo, është shpallur në kërkim. Gjithashtu, nën hetim ndodhen edhe dy punonjëse të një marketi, ndërsa vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë e zjarrit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat