Secondary Adv

52 për qind e energjisë konsumohet nga familjet, kërkesa rritet në 2025

Konsumi i energjisë elektrike në Shqipëri shënon rritje, me familjet që vijojnë të mbajnë peshën kryesore.

Konsumi i energjisë elektrike në Shqipëri vijon të dominohet nga klientët familjarë, si në numër ashtu edhe në peshë në totalin e konsumit. Sipas raportit vjetor 2025 të Entit Rregullator të Energjisë, numri i përgjithshëm i klientëve arriti në 1,377,204, ku rreth 85 për qind e tyre janë familjarë dhe furnizohen nga FSHU sh.a.

 

Shpërndarja gjeografike tregon se Tirana mban peshën kryesore me rreth 28 për qind të klientëve, nivel pothuajse i njëjtë me një vit më parë. Kjo strukturë reflektohet edhe në faturimin e energjisë, ku familjet përbëjnë rreth 52 për qind të energjisë së faturuar gjatë vitit 2025.

 

Rritje e konsumit nga familjet dhe bizneset

Kërkesa për energji elektrike ka shënuar rritje të moderuar, e lidhur me zhvillimin ekonomik dhe konsumin familjar. Konsumi i familjeve u rrit nga 3,408 GWh në vitin 2024 në 3,640 GWh në vitin 2025, duke regjistruar një rritje prej rreth 6.3 për qind.

 

Në të njëjtën kohë, edhe konsumatorët jofamiljarë kanë shtuar përdorimin e energjisë, nga 1,419 GWh në 1,517 GWh, një tregues që lidhet me zgjerimin e aktiviteteve të biznesit. Ndërkohë, ambientet e përbashkëta private kanë shënuar një rënie të lehtë, duke zbritur nga 7.20 GWh në 7.09 GWh.

 

Luhatje në sektorë të veçantë

Në disa sektorë vërehen ndryshime më të theksuara. Në furrat e bukës dhe prodhimin e produkteve të miellit, një pjesë e kategorive kanë pësuar rënie të ndjeshme të konsumit, ndërsa kategori të tjera kanë shënuar rritje, duke reflektuar ndryshime në strukturën e aktivitetit. Ndërkohë, konsumi i objekteve të kultit ka mbetur pothuajse i pandryshuar.

 

Dhjetori me konsumin më të lartë

Sa i përket shpërndarjes mujore, konsumi më i lartë u regjistrua në muajin dhjetor me 804,442 MWh, ndërsa piku i ngarkesës u arrit më 31 dhjetor në orën 18:00. Në të kundërt, muaji maj shënoi nivelin më të ulët të konsumit me 530,318 MWh.

 

Këto të dhëna konfirmojnë një trend të qëndrueshëm rritjeje të konsumit të energjisë në vend, me familjet që mbeten faktor dominues dhe me një rol në rritje të sektorit të biznesit në kërkesën totale.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat