Secondary Adv

Strategjia, deri në vitin 2030, rreth 20 për qind e rrugëve me pagesë

Strategjia e re e transportit synon zgjerimin e tarifimit elektronik dhe përdorimin e teknologjisë për menaxhimin e rrjetit rrugor.

Tarifimi elektronik në fokus

Qeveria shqiptare planifikon që deri në vitin 2030 rreth 20 për qind e rrjetit rrugor në vend të përfshihet në skema tarifimi elektronik. Kjo nismë është pjesë e strategjisë sektoriale të transportit dhe planit të veprimit afatmesëm, që synon modernizimin e infrastrukturës dhe rritjen e eficiencës në menaxhimin e trafikut.

 

Një nga shtyllat kryesore të kësaj strategjie është zgjerimi i Sistemeve Inteligjente të Transportit (SIT), të cilat do të aplikohen në rrjetin TEN-T, duke mundësuar monitorim në kohë reale të trafikut, menaxhim të aseteve dhe informim më të mirë për udhëtarët.

 

Kuadri ligjor dhe standardet europiane

Dokumenti parashikon hartimin e kuadrit ligjor dhe teknik për tarifimin digjital të rrugëve, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, si Direktiva Eurovignette dhe Shërbimi Europian Elektronik i Tarifimit Rrugor (EETS). Pilotimi i sistemit e-tolling pritet të nisë fillimisht në segmentet me trafik më të lartë të rrjetit TEN-T.

 

Paralelisht, do të krijohet edhe një fond i dedikuar për mirëmbajtjen e rrugëve, i cili do të financohet nga tarifat e përdoruesve dhe nga tarifat e karikimit të automjeteve elektrike, në përputhje me rregulloret europiane për infrastrukturën e karburanteve alternative.

 

Segmentet ekzistuese me pagesë

Aktualisht, disa akse rrugore në vend funksionojnë me pagesë, si Rruga e Kombit, segmenti Thumanë–Kashar dhe tuneli i Llogarasë, për të cilin pritet vendosja e tarifës brenda sezonit veror. Strategjia synon zgjerimin gradual të këtij modeli në segmente të tjera me rëndësi strategjike.

 

Digjitalizimi i transportit ndërqytetas

Përveç tarifimit rrugor, dokumenti parashikon edhe implementimin e biletimit digjital në transportin ndërqytetas, duke synuar integrimin e shërbimeve dhe rritjen e transparencës në arkëtime, si dhe përmirësimin e përvojës së udhëtarëve.

 

PPP dhe koncesionet mbeten prioritet

Strategjia konfirmon vijimin e përdorimit të partneriteteve publike-private (PPP) dhe koncesioneve si mekanizma për zhvillimin e infrastrukturës. Këto instrumente konsiderohen si mënyra për të tërhequr investime private, për të përshpejtuar projektet dhe për të ulur presionin mbi financat publike.

Në këtë kuadër, parashikohet edhe nxitja e PPP-ve në transportin ndërqytetas, veçanërisht për operimin dhe mirëmbajtjen e terminaleve.

 

Institucionet e reja në sektor

Zbatimi i kësaj strategjie mbështetet edhe nga struktura të reja si Enti Kombëtar i Operimit Rrugor (EKORR), i cili do të menaxhojë rrugët me pagesë dhe sistemet e tarifimit elektronik. Gjithashtu, shoqëria “Mob AI” do të fokusohet në operimin e transportit publik, përfshirë biletimin elektronik dhe monitorimin digjital të shërbimeve.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat