Secondary Adv

Pas zjarrit në Tiranë, rritje deri në 50 për qind e pagesës për orët shtesë të zjarrfikësve

Qeveria synon të unifikojë trajtimin financiar dhe të rrisë motivimin e zjarrfikësve pas problematikave të evidentuara në praktikë.

Ndryshime pas ngjarjes në Tiranë

Pas zjarrit në një kompleks banimi pranë farmacisë nr.10 në Tiranë, i ndërtuar nga kompania “Arlis”, qeveria pritet të ndërhyjë në skemën e pagesave për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin. Ndryshimet do të bëhen përmes një projektvendimi që synon përmirësimin e trajtimit financiar dhe rritjen e motivimit të këtij personeli.

 

Pagesa më të larta për orët shtesë

Sipas draftit, punonjësit do të përfitojnë shtesa mbi pagë në varësi të orarit dhe ditës së punës. Parashikohet një shtesë prej 25% për orët shtesë në ditë të zakonshme pune, 20% për orët e mbrëmjes (nga ora 19:00 deri në 22:00) dhe deri në 50% për punën gjatë natës, fundjavave apo festave zyrtare.

 

Edhe punonjësit e planifikuar në grafik shërbimi do të përfitojnë shtesa për orët e natës, festave dhe për çdo orë shtesë jashtë turnit 24-orësh. Ndërsa për ata që nuk janë të planifikuar, por thirren në punë gjatë festave, parashikohet një ditë pushimi shtesë ose pagesë për orët e punuara sipas pagës orare.

 

Kufizim për orët shtesë

Projektvendimi vendos edhe një kufi maksimal prej 200 orësh shtesë në vit për çdo punonjës operacional. Ky limit mund të tejkalohet vetëm në raste të jashtëzakonshme, si emergjencat civile apo situatat e forcës madhore, me autorizim të Inspektoratit të Punës.

 

Synimi: më shumë qartësi dhe stabilitet

Ndryshimet synojnë të eliminojnë paqartësitë që kanë ekzistuar deri më tani në zbatimin e pagesave, të cilat në disa raste janë zgjidhur përmes proceseve gjyqësore. Mungesa e një praktike të unifikuar ka sjellë pabarazi në trajtim dhe ka ndikuar në vështirësi në rekrutime dhe largime nga shërbimi.

 

Me këtë ndërhyrje, qeveria synon të rrisë motivimin dhe stabilitetin në punë për zjarrfikësit, duke forcuar njëkohësisht gatishmërinë dhe performancën e tyre në situata emergjente.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat