Secondary Adv

Raporti: Hekurudhat sfidë kryesore për Shqipërinë, vetëm 15 për qind e ligjeve në përputhje me BE

Raporti i Komunitetit të Transportit nxjerr në pah mangësi serioze në hekurudha dhe sigurinë rrugore, ndërsa progresi mbetet i pjesshëm.

Integrim i ulët me standardet e BE-së

Transporti në Shqipëri vijon të mbetet larg standardeve të Bashkimit Europian. Sipas raportit të Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit për vitin 2025, vetëm 15 për qind e legjislacionit në këtë sektor është në përputhje të plotë me BE-në, ndërsa 40 për qind është pjesërisht i harmonizuar dhe 45 për qind nuk ka shënuar ende progres.

 

Drejtori i Sekretariatit, Matej Zakonjšek, theksoi në Komisionin e Burimeve Natyrore se përshpejtimi i harmonizimit ligjor dhe zbatimi në terren janë thelbësore për përmirësimin e sektorit.

 

Hekurudhat, pika më e dobët

Sektori hekurudhor mbetet sfida kryesore, me infrastrukturë të amortizuar dhe larg standardeve moderne. Megjithatë, disa investime janë në proces, ku rreth 200 kilometra linja janë në përmirësim dhe një gjatësi e ngjashme është në fazë përgatitore.

 

Fokusi është te korridori VIII dhe lidhjet kryesore si Durrës–Tiranë dhe lidhja me aeroportin e Rinasit. Sipas Zakonjšek, gjendja aktuale e rrjetit është problematike dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme, duke e bërë transportin hekurudhor prioritet për të ardhmen, sidomos në kuadër të transportit të gjelbër.

 

Nevojë për prioritizim dhe financim

Raporti thekson se burimet financiare publike nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur të gjitha projektet infrastrukturore, ndaj kërkohet një strategji e qartë prioritizimi dhe kombinim i fondeve publike me ato private.

 

Bashkimi Europian mbetet investitori kryesor në sektorin e transportit në rajon, por autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë që projektet të jenë të mirëpërgatitura për të përfituar financim dhe për të shmangur humbjen e fondeve.

 

Siguria rrugore mbetet shqetësim

Në transportin rrugor është evidentuar progres, por sfida kryesore mbetet siguria. Numri i viktimave nga aksidentet për milion banorë në Shqipëri është dukshëm më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 44.

 

Rekomandimet përfshijnë miratimin e strategjisë për sigurinë rrugore dhe krijimin e një agjencie të posaçme për menaxhimin e trafikut, si masa të domosdoshme për uljen e fataliteteve.

 

Progres në rrugë, por sfida për korridoret

Ndërkohë, Shqipëria ka bërë përparim në zhvillimin e transportit rrugor, por mbetet ende punë për përfundimin e korridoreve strategjike të rrjetit TEN-T, si korridori VIII dhe ai Adriatiko-Jonian.

 

Raporti nënvizon se zhvillimi i qëndrueshëm i transportit në vend do të varet nga ritmi i reformave, investimet në infrastrukturë dhe aftësia për të përmbushur standardet europiane.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat