Secondary Adv

Kthimi nga investimi i qirave, ja zonat më fitimprurëse në Tiranë dhe bregdet

Investimi në prona për qira vijon të mbetet ndër më tërheqësit, me rendimente të larta sidomos në disa zona të Tiranës dhe bregdetit.

Zonat me rendimentin më të lartë në Tiranë

Blerja e pronave për qira mbetet një nga format më të preferuara të investimit në Shqipëri, falë kthimit relativisht të lartë krahasuar me vendet europiane. Sipas të dhënave të Investropa, zona e Don Boskos kryeson për rendimentin bruto të qirasë në Tiranë, me rreth 6.4 për qind, duke reflektuar një raport të favorshëm mes çmimit të blerjes dhe të ardhurave vjetore nga qiraja.

 

Pas saj renditet Astiri, që tërheq investitorët për shkak të balancës mes kostos së pronës dhe të ardhurave të gjeneruara. Edhe zona e Bulevardit të Ri paraqet potencial të lartë, duke u pozicionuar ndër zonat më të kërkuara në zhvillim për investime afatgjata.

 

Pazar i Ri dhe bregdeti në fokus

Pazari i Ri vijon të jetë një nga zonat më të preferuara për investime, sidomos për prona të vogla dhe qira afatshkurtra, me një rendiment bruto rreth 6.3 për qind. Ndërkohë, në zonat bregdetare, Golemi ofron një kthim tërheqës prej rreth 6.2 për qind, ndërsa Lungomare në Vlorë shënon një rendiment mesatar prej rreth 5.7 për qind, i ndikuar nga sezonaliteti i turizmit.

 

Zona me kthim më të ulët

Në krahun tjetër, Blloku rezulton ndër zonat me rendiment më të ulët nga qiratë. Kjo lidhet me çmimet shumë të larta të pronave, të cilat nuk kompensohen në të njëjtën masë nga të ardhurat e qirasë, duke ulur raportin e kthimit të investimit. Megjithatë, kjo nuk e bën zonën më pak tërheqëse për investitorët, por tregon se kthimi financiar nga qiraja është më i moderuar krahasuar me zona të tjera.

 

Faktorët që ndikojnë në kthimin e investimit

Rendimenti i investimit në prona varet nga disa faktorë kyç, si vendndodhja, lloji i pronës dhe niveli i investimit në mobilim apo përmirësim. Shqipëria vijon të mbetet konkurruese në këtë drejtim për shkak të çmimeve më të ulëta të pasurive të paluajtshme në raport me tregjet europiane.

 

Të dhënat tregojnë se, megjithëse tregu ofron mundësi të mira kthimi, rezultatet mund të ndryshojnë ndjeshëm nga një pronë në tjetrën, në varësi të karakteristikave specifike dhe strategjisë së investimit.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat