Rritja e çmimeve dhe mbifurnizimet shtojnë 14 për qind të ardhurat nga TVSH
Rritja e çmimeve dhe shtimi i importeve kanë çuar në një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga TVSH, duke i dhënë një shtysë buxhetit të shtetit në mars.
Të dhënat për tremujorin e parë të vitit 2026 tregojnë se arkëtimet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar kanë pësuar një rritje të fortë në muajin mars, duke arritur në 20.5 miliardë lekë, ose 14 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e çmimeve shton automatikisht të ardhurat
Ecuria mujore e kësaj takse ka qenë në përshkallëzim, me rritje modeste prej 2.1% në janar dhe 5.5% në shkurt, për të kulmuar me një rritje dyshifrore në mars. Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë zhvillim është rritja e çmimeve, e lidhur me krizën në Lindjen e Mesme dhe tensionet në tregjet e energjisë.
Duke qenë se TVSH aplikohet si përqindje mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve, çdo rritje e kostos përkthehet automatikisht në më shumë të ardhura për buxhetin, edhe nëse konsumi mbetet i pandryshuar.
Turizmi dhe aktiviteti ekonomik japin shtysë shtesë
Diferenca e madhe mes janarit dhe marsit tregon se rritja nuk lidhet vetëm me inflacionin, por edhe me një gjallërim të aktivitetit ekonomik. Sezoni pranveror dhe shtimi i fluksit të turistëve kanë krijuar një efekt zinxhir në ekonomi, duke rritur konsumin dhe, për rrjedhojë, të ardhurat nga TVSH.
Në të njëjtën kohë, krizat globale kanë ndikuar edhe në rritjen e kostove të transportit dhe siguracioneve detare, çka ka bërë që mallrat e importuara të hyjnë në vend me çmime më të larta.
Importet dhe mbifurnizimet rrisin bazën e taksimit
Rritja e importeve ka qenë një tjetër faktor kyç. Në tremujorin e parë të vitit, importet e grurit u rritën me 55 për qind në sasi, ndërsa ato të ushqimeve me rreth 20 për qind, si pasojë e frikës për rritje të mëtejshme të çmimeve.
Çdo mall që hyn në vend me çmim më të lartë rrit automatikisht edhe TVSH-në e mbledhur në doganë, duke zgjeruar të ardhurat publike.
Krizat rrisin të ardhurat, por rëndojnë konsumatorët
Edhe pse krizat globale rëndojnë mbi konsumatorët përmes çmimeve më të larta, ato shpesh përkthehen në më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit, sidomos për taksat që llogariten mbi vlerën e mallrave.
Në shumë vende, këto të ardhura shtesë përdoren për paketa mbështetëse për shtresat në nevojë. Megjithatë, në Shqipëri, qasja ndaj rishpërndarjes së këtyre të ardhurave mbetet më e kufizuar.