KLSH: Projekte të ngecura me ujësjellësit, miliona lekë dëm ekonomik nga keqmenaxhimi në AKUK
Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton probleme serioze në menaxhimin e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, me pasoja financiare dhe rreziqe për cilësinë e shërbimit.
Sipas auditimit të kryer për periudhën 1 janar 2021 – 30 qershor 2024, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve ka shkaktuar dëme ekonomike dhe efekte negative në buxhetin e shtetit, si pasojë e devijimeve nga kuadri ligjor dhe rregullator. Një nga problematikat kryesore lidhet me mungesën e rakordimit të detyrimeve të prapambetura, që në fund të vitit 2023 krijoi një diferencë prej rreth 169.5 milionë lekësh.
Rreziqe për sigurinë e ujit të pijshëm
Raporti nxjerr në pah edhe mangësi në monitorimin e cilësisë së ujit. Vetëm 6 nga 14 shoqëri ujësjellësi disponojnë laboratorë funksionalë, duke kufizuar analizat e ujit të pijshëm dhe duke rritur rrezikun për sigurinë e konsumatorëve.
Njëkohësisht, projekti “Përmirësimi i Sistemit të Kanalizimeve të Tiranës së Madhe” rezulton pa progres të dukshëm, ndërsa mungesa e një regjistri të centralizuar për projektet e ujësjellësit pengon koordinimin dhe menaxhimin e burimeve.
Detyrime të paqarta dhe risk financiar
KLSH konstaton se detyrimet që burojnë nga vendimet gjyqësore nuk janë regjistruar në kohë në kontabilitet, duke krijuar një efekt financiar prej 71 milionë lekësh. Ndërkohë, rreth 160 milionë lekë mbeten ende të pashlyera, ndërsa 57 milionë lekë të tjera priten nga vendime të shkallës së dytë.
Në fushën e prokurimeve janë evidentuar mangësi në kriteret kualifikuese dhe në specifikimet teknike, si dhe pagesa për punime të pakryera në vlerën 24 milionë lekë. Në dy kontrata nuk janë respektuar afatet, duke shkaktuar mungesë të ardhurash prej 221 milionë lekësh.
Shpenzime joefektive dhe mungesë transparence
Raporti evidenton gjithashtu përdorim joefektiv të fondeve publike, përfshirë shpenzime përmbarimore prej 9 milionë lekësh dhe mungesë transparence për shkak të mos publikimit online të grafikut të shlyerjes së detyrimeve.
Për projektin “Infrastruktura bashkiake V”, auditimi thekson se nuk është vlerësuar realizimi i objektivave për shkak të mungesës së një sistemi matjeje. Në disa raste janë miratuar shtesa kontraktore, ndërsa një komponent është anuluar dhe pagesat janë konsideruar të pajustifikuara.
Si pasojë e vonesave dhe mosrespektimit të grafikut të disbursimeve, janë gjeneruar kosto shtesë për buxhetin në formën e tarifave të angazhimit, që arrijnë në rreth 454 mijë euro.