Secondary Adv

INSTAT: Çmimet e perimeve arritën rekord në mars, rritja e karburanteve shton presionin

Rritja e fortë e çmimeve të perimeve dhe karburanteve në mars sinjalizon presione të reja inflacioniste në ekonomi.

Tregu i produkteve bujqësore në Shqipëri shënoi luhatje të forta gjatë muajit mars 2026, me rritje të ndjeshme të çmimeve për disa nga perimet më të konsumuara. Sipas të dhënave të INSTAT, domatet u shtrenjtuan me 29% brenda një muaji, duke arritur në 286 lekë për kilogram nga 202.5 lekë në shkurt, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë produkt.

 

Importet dhe kostot ndikojnë në çmime

Pavarësisht se importi është konsideruar si një nga arsyet kryesore të rritjes, të dhënat e doganave tregojnë se çmimi i zhdoganimit ka qenë dukshëm më i ulët, duke varionuar nga 56 lekë për kilogram nga Greqia deri në 64 lekë nga Turqia. Kjo tregon se faktorë të tjerë, si kostot e transportit dhe ndërmjetësimi në treg, kanë ndikuar në rritjen e çmimeve për konsumatorin final.

 

Një trend i ngjashëm është vërejtur edhe për specat, të cilët u shtrenjtuan me 17%, duke arritur në rreth 313.9 lekë për kilogram. Ndërkohë, patatet kanë shënuar një rritje më të lehtë, ndërsa kastravecët dhe qepët kanë pësuar ulje të moderuar të çmimeve.

 

Rritja e karburanteve shton presionin

Paralelisht me ushqimet, edhe çmimet e hidrokarbureve u rritën ndjeshëm gjatë marsit. Sipas INSTAT, nafta u shtrenjtua me 16%, benzina me 10% dhe gazi me 7% krahasuar me muajin shkurt. Rritja e kostove të energjisë dhe transportit ka ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e produkteve ushqimore.

 

Këto zhvillime lidhen kryesisht me tensionet në tregjet ndërkombëtare, të shkaktuara nga lufta në Lindjen e Mesme, e cila ka rritur kostot e furnizimit dhe transportit.

 

Institucionet në monitorim, pa masa konkrete

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se po monitoron situatën në treg, por nuk ka ndërhyrë me masa konkrete, duke argumentuar se rritja e çmimeve është e përqendruar vetëm në disa produkte të veçanta.

 

Ndërkohë, institucionet ndërkombëtare paralajmërojnë për ndikime më të gjera ekonomike. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka theksuar se zhvillimet në Lindjen e Mesme mund të krijojnë presione të reja inflacioniste dhe ka rishikuar në ulje pritshmëritë për rritjen ekonomike, si në nivel global ashtu edhe për Shqipërinë.

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat