Secondary Adv

Bordi i Transparencës rrit çmimin e naftës, gazoili shkon në 202 lekë/litër

Bordi i Transparencës ka vendosur çmime të reja për karburantet, duke ulur tavanin për gazoilin në 202 lekë për litër.

Bordi i Transparencës vendosi më 22 prill 2026 ndryshimin e çmimeve tavan për nënproduktet e naftës në vend. Sipas vendimit të ri, çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 është përcaktuar jo më shumë se 202 lekë për litër, ndërsa çmimi i shumicës është vendosur në maksimum 190 lekë për litër.

 

Për benzinën, çmimi maksimal në pakicë është vendosur në 176 lekë për litër, ndërsa në shumicë arrin në 164 lekë për litër, duke reflektuar luhatjet e fundit në tregjet ndërkombëtare të karburanteve.

 

Vendimi hyn menjëherë në fuqi

Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi menjëherë, që prej orës 12:30 të ditës së sotme, dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të rishikohen në varësi të zhvillimeve të tregut.

 

Autoritetet u kanë bërë thirrje operatorëve të tregtimit me pakicë dhe shumicë të zbatojnë vendimin, duke paralajmëruar masa të rrepta në rast shkeljesh, deri në pezullim të aktivitetit.

 

Akciza mbetet në nivel të plotë

Në një sqarim zyrtar, theksohet se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026. Për rrjedhojë, akciza për karburantet do të vijojë të aplikohet në nivel të plotë, 100%, pa aktivizuar mekanizmin e reduktimit.

 

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, rithekson angazhimin për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat