Secondary Adv

Nivel rekord emigrimi në BE, arrin 64.2 milionë në 2025

Numri i emigrantëve në Bashkimin Evropian ka arritur një nivel rekord prej 64.2 milionësh në vitin 2025, duke shënuar një rritje të fortë krahasuar me një vit më parë.

Sipas një raporti të publikuar nga Qendra për Kërkime dhe Analiza mbi Migracionin në Berlin, numri i personave të lindur jashtë vendit që jetojnë në Bashkimin Evropian u rrit me rreth 2.1 milionë brenda një viti, duke konfirmuar trendin në rritje të migracionit drejt vendeve evropiane.

 

Gjermania vijon të mbetet destinacioni kryesor për emigrantët në Evropë, me afro 18 milionë banorë të lindur jashtë vendit, nga të cilët rreth 72% janë në moshë pune. Ndërkohë, Spanja ka regjistruar rritjen më të shpejtë, duke shtuar rreth 700 mijë emigrantë dhe duke e çuar totalin në 9.5 milionë.

 

Azili përqendrohet në disa shtete kryesore

Sipas raportit, kërkesat për azil janë përqendruar kryesisht në katër vende: Spanja, Italia, Franca dhe Gjermania, të cilat përbëjnë gati tre të katërtat e të gjitha aplikimeve në Bashkimin Evropian.

 

Autorët e raportit theksojnë se Gjermania mbetet destinacioni kryesor jo vetëm në shifra absolute, por edhe në raport me popullsinë, duke ruajtur një peshë të lartë në sistemin migrator evropian.

 

Mijëra viktima në rrugët e migracionit

Një tjetër aspekt shqetësues i raportit është numri i lartë i viktimave në rrugët e migracionit. Gjatë vitit 2025, rreth 7,904 persona u raportuan të vdekur ose të zhdukur, një shifër më e ulët se rekordi i vitit 2024, por që mbetet alarmante.

 

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin thekson se më shumë se katër në çdo dhjetë raste kanë ndodhur në rrugët detare drejt Evropës, të cilat konsiderohen më vdekjeprurëset. Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhet me të ashtuquajturat “mbytje anijesh të padukshme”, ku anijet humbasin në det pa lënë gjurmë.

 

Ekspertët paralajmërojnë se shifrat reale mund të jenë edhe më të larta, pasi një numër i konsiderueshëm rastesh mbetet i paverifikuar për shkak të mungesës së burimeve dhe shkurtimeve në ndihmën humanitare.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat