Bizneset: Nafta po na fundos, të ulet barra fiskale mbi karburantet, ose do rriten çmimet e tjera
Organizatat e biznesit kërkojnë ulje të barrës fiskale mbi karburantet, duke paralajmëruar pasoja të rënda ekonomike dhe shtrenjtim të produkteve.
Organizatat e biznesit në hapësirën mbarëshqiptare i kanë bërë thirrje qeverive të ndërhyjnë urgjentisht për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve, duke paralajmëruar se situata po kthehet në një rrezik serioz për ekonominë dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.
Sipas tyre, rritja e vazhdueshme e çmimeve, e ndikuar nga tregjet globale të energjisë dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, po ushtron presion të fortë mbi aktivitetin ekonomik dhe po detyron bizneset të rishikojnë planet e investimeve, ndërsa disa sektorë po përballen me vështirësi reale për mbijetesë.
Efekt zinxhir në të gjithë ekonominë
Karburanti konsiderohet një element kyç për funksionimin e ekonomisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në sektorë si transporti, bujqësia, industria, turizmi dhe shërbimet. Rritja e çmimeve të tij po sjell pasoja të menjëhershme në të gjitha këto fusha, duke rritur kostot e prodhimit dhe shërbimeve, çmimet për konsumatorët dhe duke ulur fuqinë blerëse të familjeve.
Bizneset paralajmërojnë se në mungesë të ndërhyrjes, këto zhvillime do të përkthehen në rritje të mëtejshme të çmimeve në treg dhe në dobësim të konkurrueshmërisë në rajon dhe më gjerë.
Kërkohen masa urgjente nga qeveria
Në një deklaratë të përbashkët, organizatat propozojnë një paketë masash që përfshin rishikimin e përkohshëm dhe fleksibël të barrës fiskale mbi karburantet, rritjen e transparencës në formimin e çmimeve dhe forcimin e kontrollit ndaj tregut për të shmangur abuzimet.
Po ashtu, kërkohet mbështetje e drejtpërdrejtë për sektorët më të prekur si transporti, bujqësia dhe industria prodhuese, si dhe masa afatgjata si krijimi i rezervave strategjike të naftës dhe investime në energji alternative.
Paralajmërim për pasoja të rënda
Organizatat theksojnë se çdo vonesë në vendimmarrje do të ketë kosto të drejtpërdrejta për ekonominë dhe qytetarët. Nëse nuk merren masa të menjëhershme, ato paralajmërojnë për përshkallëzim të rritjes së çmimeve, frenim të investimeve dhe rrezikim të vendeve të punës, me pasoja afatgjata për zhvillimin ekonomik.