Ministria e Financave avancon në procesin e çeljes së fondeve të programit IPARD III
Ministria e Financave ka përmbyllur paketën e akreditimit për programin IPARD III, duke avancuar drejt çeljes së fondeve për bujqësinë dhe zonat rurale.
Ministria e Financave njoftoi se ka finalizuar përgatitjen e paketës së akreditimit për Programin IPARD III, një hap i rëndësishëm që i hap rrugë aksesimit të fondeve të Bashkimit Evropian për zhvillimin rural dhe mbështetjen e sektorit bujqësor në vend.
Nën drejtimin e Zyrtarit Kombëtar Autorizues dhe me mbështetjen e strukturave përkatëse, përfshirë Drejtorinë Mbështetëse të ZKA-së dhe Drejtorinë e Fondit Kombëtar, është hartuar një dokumentacion i plotë në përputhje me standardet e BE-së. Paketa përfshin kërkesën për besimin e detyrave të zbatimit buxhetor, të shoqëruar me prova mbi përmbushjen e kritereve të Komisionit Evropian.
Vlerësimi nga Komisioni Evropian
Pas dorëzimit, procesi kalon në fazën e vlerësimit nga shërbimet e Komisionit Evropian, konkretisht DG AGRI, e cila do të analizojë dokumentacionin dhe mund të kryejë verifikime në terren. Kjo fazë pritet të zhvillohet gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.
Autoritetet synojnë që fondet e IPARD III të hapen brenda këtij viti, duke mundësuar financime të reja për investime në bujqësi dhe zhvillim të qëndrueshëm rural.
Programi pas pezullimit të IPARD II
Rihapja e programit vjen pas pezullimit të IPARD II në vitin 2023, kur Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) evidentoi shkelje dhe keqpërdorime të fondeve. Hetimet identifikuan si të papërshtatshme rreth 33 milionë euro nga fondet e përdorura, duke çuar në ndërprerjen e financimit nga Komisioni Evropian.
Sipas Ministrisë së Financave, janë ndërmarrë masa për të përmbushur kërkesat e BE-së dhe për të garantuar një menaxhim më të sigurt dhe transparent të fondeve në fazën e re të programit.
146 milionë euro fonde për bujqësinë
Programi IPARD III parashikon një fond total prej rreth 146 milionë eurosh, rreth 55% më shumë krahasuar me IPARD II. Nga kjo shumë, 112 milionë euro janë kontribut i Bashkimit Evropian.
Programi i ri përfshin nëntë masa financimi, një zgjerim i konsiderueshëm krahasuar me tre masat e programit të mëparshëm, duke synuar rritjen e konkurrueshmërisë së bujqësisë dhe zhvillimin ekonomik të zonave rurale.