Banka Boterore propozon rritjen e cmimit te energjise me 15-20 perqind per shqiptaret
Banka Botërore kërkon rritjen e çmimit për energjisë elektrike në Shqipëri në masën 15-20 %. Propozimi i Bankës Botërore ka ardhur pas aprovimit të kredisë 150 milionë dollarë për sektorin energjitik.
Operatorët e sistemit energjetik kanë bërë gati propozimet e tyre për tarifat e reja të energjisë. Në kohën kur këto propozime duhet të diskutohen në seanca dëgjimore të organizuara nga Enti Rregullator, Banka Botërore sjell edhe një herë në vëmendje se orientimi i tarifave drejt kostos reale është i nevojshëm. Në dokumentin zyrtar të Bankës, të publikuar pas miratimit të kredisë 150 milionë dollarë për sektorin energjetik, BB vlerëson se zbatimi i projektit cilësohet si me risk të lartë. Po kështu, i njëjti raport vlerëson se tarifat duhet të rriten nga 15-20 për qind, të paktën për shpërndarjen, në mënyrë që në vitin 2016 kompania të kthehet në kompani me fitim.
Projektimet tregojnë që me investimet intensive, me tarifa që reflektojnë koston dhe menaxhim më të mirë sektori mund të përmirësohet dhe kompanitë mund të kthehen në të shëndetshme financiarisht në një kohë të shkurtër. Sa i përket shpërndarjes së energjisë edhe me një rregullim në tarifave që parashikon rritje nga 15-20 përqind, OSHEE-së i duhet një kohë e gjatë për tu përmirësuar.
Tarifat e energjise
Aktualisht sot çmimi mesatar i energjisë për konsumatorët fundorë familjarë është në 9.53 lekë për kilovat/orë. Banka Botërore gjykon se kjo tarifë nuk përfaqëson koston reale të sistemit. “Projektimet tregojnë që me investime intensive, tarifa që reflektojnë koston dhe me një menaxhim të mirë mund të përmirësohet situata e kompanive dhe ato mund të kthehen në të shëndetshme financiarisht brenda një periudhe të arsyeshme.
Investimet janë vetëm hapi i parë për rimëkëmbjën pasi kompania mund të dalë me fitim vetëm në 2016, dhe në periudhën 2014-2019 kërkon sërish shtim të një shumë prej 112 milionë dollar për të ulur hunbjet, borxhet dhe importin e enegjisë”, thuhet në raport. Banka Botërore vlerëson vullnetin e Qeverisë shqiptare për të përmirësuar sistemin energjitik, megjithatë pavarësisht marrëveshjes me CEZ, situata e rrezikut ende nuk ka kaluar për aq kohë sa nuk mbyllet pagesa me çekët.
Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike i takon ERE, por qeveria ka deklaruar se nuk do të ketë rritje të çmimit për konsumatorët familjarë dhe se do të mbrohen shtresat në nevojë. Vendimi për çmimin e energjisë elektrike pritet të merret në muajin Dhjetor nga ERE