Secondary Adv

Mali i Zi në hapat e fundit drejt BE, nis hartimin e Traktatit të Anëtarësimit

Mali i Zi ka hyrë në etapën përfundimtare të procesit të integrimit europian, me nisjen e përgatitjes së marrëveshjes së anëtarësimit në Bashkimin Europian.

BE miraton ngritjen e grupit të punës

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë miratuar në Bruksel krijimin e një grupi pune ad hoc, i cili do të merret me përgatitjen teknike dhe ligjore të Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi. Vendimi është marrë nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) dhe është konfirmuar nga Presidenca qipriote e Këshillit të BE-së.

 

Sipas zyrtarëve europianë, ngritja e këtij grupi është një hap i rëndësishëm që sinjalizon se anëtarësimi i vendeve të rajonit është një objektiv real dhe i arritshëm.

 

“Faza e fundit drejt anëtarësimit”

Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorčević, e cilësoi këtë zhvillim si një moment historik, duke theksuar se vendi tashmë ndodhet në fazën e fundit të rrugëtimit drejt anëtarësimit të plotë në BE. Objektivi i Podgoricës mbetet që të bëhet anëtari i 28-të i unionit deri në vitin 2028.

 

Mekanizma të rinj sigurie në traktat

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, bëri të ditur se marrëveshja e ardhshme do të përfshijë mekanizma të rinj mbrojtës, duke reflektuar një qasje më të kujdesshme të BE-së ndaj zgjerimit. Ajo theksoi se ky proces është një njohje e progresit të Malit të Zi dhe një nxitje për të përshpejtuar reformat.

 

Sipas saj, hartimi i traktatit është gjithashtu një mundësi për të reflektuar mbi zgjerimet e mëparshme dhe për të forcuar standardet që lidhen me sundimin e ligjit dhe vlerat themelore.

 

Ende kapituj për t’u mbyllur

Megjithëse procesi ka hyrë në një fazë të avancuar, anëtarësimi nuk është përfunduar ende. Mali i Zi duhet të mbyllë të gjitha kapitujt e negociatave dhe të harmonizojë plotësisht legjislacionin me atë të BE-së. Deri më tani, janë mbyllur 14 nga 33 kapitujt e negociatave.

 

Grupi i punës do të koordinojë detajet përfundimtare të traktatit, përfshirë periudhat kalimtare dhe mekanizmat mbrojtës që do të sigurojnë një integrim gradual në strukturat europiane.

 

Hap kyç për zgjerimin e BE-së

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e cilësoi këtë zhvillim si një moment kyç për zgjerimin, duke theksuar se për herë të parë pas më shumë se një dekade Bashkimi Europian po i afrohet konkretisht një anëtarësimi të ri.

 

Mali i Zi, së bashku me Shqipërinë, konsiderohen si vendet më të avancuara në rajon në procesin e integrimit, dhe pritet të jenë ndër të parat që do t’i bashkohen BE-së pas Kroacisë në vitin 2013.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat