Investimet publike prekin fundin, niveli më i ulët në 17 vite në janar-mars
Shpenzimet kapitale të shtetit në janar-mars 2026 ranë në nivelin më të ulët në 17 vite, duke reflektuar probleme serioze në realizimin e investimeve.
Shpenzimet kapitale nga buxheti i shtetit arritën vetëm 5.2 miliardë lekë, rreth 53 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2026, niveli më i ulët për këtë periudhë që nga viti 2009. Të dhënat tregojnë një rënie të fortë të realizimit të investimeve publike, në një kohë kur nevojat për infrastrukturë mbeten të larta.
Sipas analizave, kjo situatë lidhet edhe me një sërë dosjesh hetimore për korrupsion që përfshijnë projekte të mëdha si koncesionet PPP, inceneratorët, projektet rrugore dhe sistemet e teknologjisë së informacionit, të cilat kanë nxjerrë në pah probleme të mëdha në menaxhimin e fondeve publike.
Rënie drastike ndër vite
Të dhënat historike tregojnë se kulmi i investimeve publike u arrit në vitet 2012-2013, kur shpenzimet kapitale në tremujorin e parë kalonin 65 miliardë lekë. Që prej asaj periudhe, trendi ka qenë në rënie të vazhdueshme, pa arritur të rikuperohet në nivelet e mëparshme.
Ekspertët vlerësojnë se problemi nuk lidhet me mungesën e fondeve, pasi buxheti për investime është rritur në dekadën e fundit, por me mënyrën e menaxhimit dhe zbatimit të tyre. Një praktikë e përsëritur është përqendrimi i shpenzimeve në fund të vitit, kryesisht në muajin dhjetor.
Hetimet zbulojnë skema abuzimi
Dosjet hetimore kanë evidentuar skema të abuzimit me tenderat, ku kostot për projekte infrastrukturore fryhen dhe kontratat u jepen kompanive pa kapacitete, duke sjellë vonesa të gjata dhe mungesë rezultatesh konkrete.
Në rastin e inceneratorëve, fondet publike janë devijuar përmes kompanive fiktive, ndërsa projektet kanë mbetur të papërfunduara ose jo funksionale. Probleme janë evidentuar edhe në projektet e teknologjisë, ku investime të mëdha nuk kanë prodhuar shërbime efektive për qytetarët.
Vetëm 3.2 për qind e planit vjetor
Për vitin 2026, fondi i planifikuar për investime publike është rreth 162.3 miliardë lekë, ose afërsisht 1.7 miliardë euro. Megjithatë, gjatë tre muajve të parë janë realizuar vetëm 3.2 për qind e këtij plani, duke sinjalizuar një performancë shumë të dobët në zbatimin e buxhetit.
Krahasuar me planin e periudhës, realizimi ishte 47 për qind më i ulët, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë shënoi rënie me 36 për qind.