Secondary Adv

Tatimet, 4.7 mld euro në 2025, të ardhurat shënuan 12 për qind rritje nga mbledhja e taksave

Të ardhurat tatimore u rritën ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, me TVSH-në që vijon të dominojë strukturën e buxhetit.

Administrata Tatimore ka publikuar raportin vjetor për vitin 2025, ku rezulton se në total janë mbledhur mbi 4.7 miliardë euro të ardhura, me një rritje prej 11.8 për qind krahasuar me një vit më parë, ose rreth 500 milionë euro më shumë. 

 

Në të njëjtën periudhë, rimbursimet e TVSH-së arritën në rreth 262 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 13 për qind në raport me vitin 2024.

 

TVSH-ja dominon të ardhurat

Sipas raportit, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar vijon të jetë kontribuesi kryesor në të ardhurat publike, duke zënë 33.5 për qind të totalit të të ardhurave tatimore. 

 

Në vend të dytë renditet tatimi mbi të ardhurat personale me 29.4 për qind, i ndjekur nga tatimi mbi fitimin me 20.9 për qind. Ndërkohë, taksa e qarkullimit përbën 8.2 për qind të të ardhurave tatimore. 

 

Rritje e qëndrueshme e të ardhurave

Të ardhurat tatimore për vitin 2025 u realizuan në nivelin 280.9 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 12.5 për qind krahasuar me vitin 2024.

 

Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore arritën në 172.5 miliardë lekë, me një rritje prej 10.6 për qind në raport me një vit më parë. 

 

Administrata thekson se kjo rritje lidhet me forcimin e luftës kundër evazionit fiskal dhe ekonomisë informale, si edhe me fushatat ndërgjegjësuese për përmbushjen e detyrimeve tatimore.

 

Performanca sipas llojeve të tatimeve

Të ardhurat nga TVSH arritën në 68.7 miliardë lekë, me një rritje prej 15 për qind krahasuar me vitin 2024. Ndërkohë, tatimi mbi të ardhurat personale shënoi një nga rritjet më të forta, me 23.9 për qind më shumë, duke reflektuar zgjerimin e bazës së tatueshme. 

 

Nga ana tjetër, tatimi mbi fitimin u rrit me një ritëm më të moderuar prej 2.1 për qind, ndërsa të ardhurat nga taksat kombëtare dhe tarifat shënuan një rënie të lehtë në krahasim me vitin e mëparshëm.

 

Sinjale për formalizim të ekonomisë

Sipas drejtuesve të administratës, rezultatet e vitit 2025 reflektojnë jo vetëm një ekonomi më aktive, por edhe përmirësim të administrimit fiskal. Deri në fund të marsit 2026 janë dorëzuar rreth 320 mijë deklarata të tatimit mbi të ardhurat, një nga nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë. 

 

Këto zhvillime tregojnë një tendencë drejt formalizimit të mëtejshëm të ekonomisë dhe rritjes së bazës tatimore, duke mbështetur qëndrueshmërinë e të ardhurave publike në vend.

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat