Secondary Adv

Forcohen rregullat për jobankat, kontroll mbi pronarët përfitues dhe filtra për reputacionin

Ndryshimet e reja rrisin transparencën, kontrollin mbi kapitalin dhe filtrat për integritetin e drejtuesve në sektorin jobankar.

Institucionet financiare jobanka në Shqipëri do t’i nënshtrohen një kuadri më të fortë rregullator, pas ndryshimeve të miratuara në prill 2026 në rregulloren për licencimin dhe ushtrimin e aktivitetit të tyre. Rregullorja e re synon të rrisë transparencën, të forcojë kontrollin mbi strukturën e pronësisë dhe të përmirësojë standardet e integritetit në sektor.

 

Ndërhyrjet e reja shënojnë një zhvendosje të qartë drejt një mbikëqyrjeje më të detajuar, duke kaluar nga kriteret e përgjithshme të aplikuara që nga viti 2013 në një sistem më konkret dhe më të verifikueshëm.

 

Zgjerim i kontrollit mbi pronarët përfitues

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është përfshirja e konceptit të “pronarit përfitues”, që zgjeron kontrollin përtej aksionarëve formalë. Tashmë kërkohet identifikim i plotë për individët që zotërojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi më shumë se 5% të kapitalit, si dhe deklarim i strukturës së plotë të pronësisë dhe lidhjeve të mundshme mes aksionarëve.

 

Kjo masë synon të rrisë transparencën dhe të shmangë fshehjen e pronësisë reale përmes strukturave të ndërlikuara.

 

Kritere më të forta për reputacionin

Rregullorja e re e bën më të prekshëm kriterin e “reputacionit të mirë”. Aksionarët, pronarët përfitues dhe drejtuesit duhet të mos kenë precedentë penalë, detyrime të pashlyera tatimore apo pasurore, të mos jenë në procese ekzekutimi dhe të mos figurojnë në listat e sanksioneve ndërkombëtare të OKB-së dhe Bashkimit Evropian.

 

Gjithashtu, kërkohet raport nga regjistri i kredive për të gjithë personat kyç, si pjesë e dokumentacionit të licencimit, duke shtuar filtrat mbi integritetin financiar.

 

Procedura më të detajuara për licencimin

Lista e dokumenteve për aplikim zgjerohet ndjeshëm, duke përfshirë prova për strukturën e kapitalit, pjesëmarrjet e tërthorta dhe deklarime të detajuara për lidhje personale apo biznesi me persona të dënuar. Për drejtuesit e huaj, procesi i miratimit ndahet në dy faza, duke rritur kontrollin nga Banka e Shqipërisë.

 

Ndryshime janë bërë edhe në kapitalin minimal për disa aktivitete, ku për këmbimin valutor ai rritet nga 1.5 milionë lekë në 5 milionë lekë, ndërsa operatorët e këtij segmenti do të licencohen si kategori më vete.

 

Forcohen masat kundër pastrimit të parave

Rregullorja e përditësuar shton rolin e institucioneve si Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe i jep Bankës së Shqipërisë kompetenca më të gjera për verifikimin e burimit të kapitalit dhe lidhjeve të mundshme me aktivitete të paligjshme.

 

Në raste dyshimesh, procedurat e licencimit mund të pezullohen, ndërsa kontrolli mbi përputhshmërinë me listat e sanksioneve ndërkombëtare bëhet pjesë integrale e procesit.

 

Kushte më të rrepta për pezullim dhe revokim licence

Autoritetet kanë zgjeruar edhe kriteret për pezullimin apo heqjen e licencës. Ajo mund të revokohet jo vetëm nëse subjekti nuk përmbush më kushtet ligjore, por edhe në rastet kur ka dyshime të besueshme për përfshirje në pastrim parash apo financim të terrorizmit, apo kur licenca është marrë mbi bazën e informacionit të pasaktë.

 

Këto ndryshime synojnë të rrisin sigurinë dhe besueshmërinë në sektorin jobankar, duke e afruar atë më shumë me standardet ndërkombëtare dhe duke forcuar mbrojtjen e sistemit financiar.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat