Kompensimi nga DIVA, Malaj: 77 mijë përfitues, 12 mln euro fond rimbursimi
Rreth 77 mijë individë pritet të përfitojnë kompensim nga sistemi DIVA, ndërsa fondi total për rimbursim arrin në 12 milionë euro.
Rriten deklarimet individuale
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se pas përfundimit të procesit të deklarimit më 31 mars 2026, janë dorëzuar gjithsej 164,263 deklarata individuale të të ardhurave, duke shënuar një rritje prej 25 për qind krahasuar me një vit më parë. Sipas tij, kjo tregon një përmirësim të ndjeshëm të formalizimit dhe ndërgjegjësimit fiskal.
77 mijë përfitues nga DIVA
Në kuadër të politikave sociale mbështetëse, Malaj theksoi se rreth 77 mijë individë do të përfitojnë kompensim nga sistemi DIVA për fëmijët nën moshën 18 vjeç. Sistemi ka gjeneruar një fond prej 1.4 miliardë lekësh për rimbursime, por deri tani individët kanë kërkuar vetëm 670 milionë lekë për t’u transferuar në llogaritë e tyre bankare.
Të ardhurat buxhetore në rritje
Për tremujorin e parë të vitit 2026, të ardhurat totale në buxhet arritën në 205.1 miliardë lekë, duke realizuar 105.8 për qind të planit dhe duke u rritur me 13.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas ministrit, kjo rritje lidhet kryesisht me përmirësimin e administrimit tatimor dhe doganor, dhe jo me rritje taksash.
Struktura e arkëtimeve dhe shpenzimeve
Tatimet mbajnë peshën kryesore në të ardhurat buxhetore me 37.9 për qind, të ndjekura nga doganat me 29.8 për qind dhe kontributet shoqërore me 22.3 për qind. Nga ana tjetër, shpenzimet publike arritën në 156 miliardë lekë, me një rritje prej 5.9 për qind në raport me një vit më parë, ndërsa investimet kapitale kanë ecur më ngadalë se plani.
Rritje e bizneseve dhe formalizimit të pagave
Numri i bizneseve aktive ka arritur në 143,675, me një rritje prej 5 për qind, duke reflektuar zgjerimin e aktivitetit ekonomik. Po ashtu, është vënë re rritje e deklarimit të pagave, me 25 për qind në fashën 70–100 mijë lekë dhe 26 për qind për pagat mbi 100 mijë lekë, e ndikuar edhe nga fushatat sensibilizuese në sektorë si turizmi dhe ndërtimi.