Banka Botërore: Shqipëria e fundit në rajon për shpenzime publike në raport me PBB
Sipas Bankës Botërore, Shqipëria rezulton në vend të fundit në rajon sa i përket shpenzimeve publike në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), vetëm 30.3% në vitin 2025.
Ashtu si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka ndjekur një politikë fiskale ekspansioniste gjatë viteve të fundit, me rritjen e shpenzimeve publike që ka tejkaluar ritmet e të ardhurave. Qëllimi kryesor ka qenë mbështetja e të ardhurave të familjeve në një mjedis me presione ekonomike, por kjo ka sjellë edhe rritje të barrës buxhetore.
Në nivel rajonal, shpenzimet publike arritën në mesatarisht 38.8% të PBB-së në vitin 2025, nga 38% në vitin 2024, duke qëndruar rreth 1.7 pikë përqindje mbi mesataren e dekadës së fundit (duke përjashtuar vitin 2020). Shqipëria mbetet e fundit, me nivelin më të ulët të shpenzimeve publike në rajon në raport me PBB-në, edhe pse ka shënuar përmirësime në vitet e fundit.
Rritja e shpenzimeve është nxitur kryesisht nga dy zëra: përfitimet sociale dhe paga në sektorin publik. Në katër nga gjashtë vendet e rajonit, shpenzimet për përfitime sociale u rritën dhe tejkaluan nivelet e vitit 2024 me mesatarisht 0.7 pikë përqindje të PBB-së. Kjo lidhet kryesisht me rritjen e pensioneve dhe zgjerimin e transfertave sociale.
Rasti më i theksuar është Bosnja dhe Hercegovina, ku shpenzimet sociale u rritën ndjeshëm nga 16.2% në 20.3% të PBB-së, të nxitura nga një rritje 10% e pensioneve, si edhe nga zgjerimi i ndihmave për personat me aftësi të kufizuara dhe përfitimeve për lindjet.
Në të njëjtën kohë, edhe fondi i pagave në sektorin publik ka ushtruar presion mbi buxhetet. Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia kanë regjistruar rritjet më të forta, përkatësisht me 0.9 dhe 0.6 pikë përqindje të PBB-së, duke arritur nivelet më të larta në rajon, me 11.4% dhe 9.9% të PBB-së.
Ndërkohë, edhe sa i përket rritjes së pagave, përfitimeve sociale dhe shpenzimeve kapitale, të matura gjithmonë në raport me PBB-në, Shqipëria rezulton e fundit në rajon si për vitin 2024, edhe për 2025, së bashku me Kosovën. Pra edhe pse ka patur rritje të shpenzimeve për pagat dhe pensionet, përsëri krahasuar me vendet e rajonit ato kanë qenë më të ulëta për Shqipërinë.