Secondary Adv

BB: Energjia mbron Shqipërinë, mban inflacionin në nivelet më të ulëta në rajon për 2026

Shqipëria pritet të përballet me një rritje të moderuar të inflacionit në vitin 2026, por duke mbetur ndër nivelet më të ulëta në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sipas parashikimeve të Bankës Botërore.

Rritja e çmimeve do të nxitet kryesisht nga ushqimet dhe presionet e brendshme, si rritja e pagave dhe e qirave, ndërsa ndikimi nga tregjet ndërkombëtare të energjisë mbetet më i kufizuar krahasuar me vendet e tjera.

 

Ky diferencim lidhet me strukturën e prodhimit të energjisë në Shqipëri, ku dominon hidroenergjia, duke zbutur efektin e rritjes së çmimeve globale të hidrokarbureve në inflacion. Megjithatë, presionet e brendshme, sidomos nga rritja e të ardhurave dhe masat mbështetëse sociale, pritet të mbajnë inflacionin në rritje gjatë vitit 2026.

 

Në nivel rajonal, inflacioni parashikohet të arrijë mesatarisht 3.9% në vitin 2026, i nxitur nga çmimet më të larta të energjisë dhe ushqimeve, si edhe nga politikat fiskale që mbështesin kërkesën.

 

Në katër nga gjashtë vendet e rajonit pritet rritje e inflacionit, si rezultat i transmetimit të kostove më të larta të energjisë dhe plehrave kimike, të kombinuara me rritjen e pagave dhe transfertave sociale.

 

Bosnja dhe Hercegovina pritet të regjistrojë nivelin më të lartë të inflacionit në rajon, e ndjekur nga Serbia dhe Kosova, për shkak të ekspozimit më të madh ndaj goditjeve të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë.

 

Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi inflacioni pritet të zbutet, por të mbetet mbi 3%, si rezultat i efekteve bazë dhe, në rastin e Malit të Zi, ndikimit të kushteve monetare të eurozonës për shkak të euroizimit.

 

Në një horizont afatmesëm, presionet inflacioniste pritet të bien gradualisht në të gjithë rajonin, me inflacionin që mund të zbresë në ose nën 3% deri në vitin 2028. Rënia më e fortë parashikohet në Bosnje dhe Hercegovinë, deri në rreth 1.6%, e mbështetur nga mekanizmi i bordit të monedhës që përshpejton transmetimin e uljes së inflacionit nga eurozona.

 

Për Shqipërinë dhe rajonin, të dhënat nënkuptojnë një fazë tranzitore: inflacioni mbetet i lartë në afatshkurtër për shkak të faktorëve të jashtëm dhe politikave të brendshme mbështetëse, por pritet të zbutet gradualisht teksa këto efekte dobësohen dhe presionet nga kërkesa e brendshme bien.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat