Secondary Adv

Rritet tansporti ajror dhe ai detar në 3-mujorin e parë 2026

Transporti i pasagjerëve në Shqipëri u rrit në T1 2026, i nxitur nga zgjerimi i sektorit ajror dhe detar, ndërsa hekurudhori mbetet minimal.

Transporti i pasagjerëve në Shqipëri ka vijuar rritjen në tremujorin e parë të vitit 2026, me zhvillimet më të forta të përqendruara në sektorin ajror dhe atë detar, ndërsa transporti hekurudhor mbetet thuajse jashtë funksionit për lëvizjen e njerëzve.

 

Sipas të dhënave të INSTAT, transporti ajror konfirmon edhe një herë rolin dominues në lëvizjen e qytetarëve dhe turistëve. Gjatë tre muajve të parë të vitit, me linja ajrore kanë udhëtuar 2,162,098 pasagjerë, duke shënuar një rritje prej 3.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë .

 

Ky nivel i lartë pasagjerësh vjen në një kohë kur në treg operojnë 21 kompani ajrore dhe numri i fluturimeve mbetet i konsiderueshëm, duke reflektuar zgjerimin e vazhdueshëm të ofertës dhe kërkesës për udhëtime ajrore.

 

Në fakt, aviacioni po kthehet gjithnjë e më shumë në “shtyllën kurrizore” të transportit të njerëzve në vend, i nxitur nga rritja e turizmit dhe zgjerimi i rrjeteve të linjave low-cost.

 

Rritja e pasagjerëve, edhe pse më e moderuar se në vitet e mëparshme, tregon për një stabilizim të kërkesës në nivele të larta, duke konsoliduar aeroportin e Tiranës si pika kryesore hyrëse dhe dalëse e vendit.

 

Paralelisht, edhe transporti detar ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në lëvizjen e pasagjerëve, ndonëse në nivele shumë më të ulëta se ai ajror.

 

Në tremujorin e parë 2026, nëpërmjet porteve detare kanë udhëtuar 154,019 pasagjerë . Pesha kryesore i takon Portit të Durrësit, nga ku kanë kaluar 77.5% e totalit të pasagjerëve, i ndjekur nga Saranda me 14.4% dhe Vlora me 8.1% .

 

Këto të dhëna tregojnë qartë rolin e transportit detar kryesisht në lidhjet me Italinë dhe në lëvizjet sezonale, sidomos gjatë periudhave turistike.

 

Megjithatë, krahasuar me potencialin që ka vendi, ky sektor mbetet ende i pashfrytëzuar plotësisht për transportin e pasagjerëve, veçanërisht në drejtim të turizmit rajonal dhe kroçerave.

 

Ndërkohë, transporti hekurudhor vazhdon të jetë pothuajse inekzistent për lëvizjen e njerëzve. Edhe pse rrjeti hekurudhor në vend shtrihet në rreth 253 km, aktiviteti i tij është i fokusuar kryesisht në transportin e mallrave dhe jo të pasagjerëve.

 

Mungesa e investimeve dhe amortizimi i infrastrukturës kanë bërë që ky sektor të mos luajë asnjë rol real në mobilitetin e qytetarëve, duke e lënë Shqipërinë ndjeshëm pas vendeve të tjera të rajonit në këtë drejtim.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat