Tatimet shtojnë monitorimin në bujqësi: Verifikime të thelluara dhe kompensim fermerëve
Administrata Tatimore ka njoftuar shtimin e monitorimit ndaj subjekteve grumbulluese dhe përpunuese bujqësore, pas ankesave të fermerëve për mosrespektim të detyrimit për lëshimin e autofaturave tatimore.
Fokusi i këtij aksioni do të jetë kontrolli i zinxhirit të furnizimit, me synim formalizimin e tregut dhe garantimin e të drejtave të fermerëve.
Sipas njoftimit, do të kryhen verifikime të thelluara në të gjithë zinxhirin e grumbullimit dhe përpunimit, ndërsa do të ushtrohet kontroll specifik për lëshimin e autofaturave për blerjet e produkteve bujqësore nga fermerët.
Një tjetër element kyç i aksionit është evidentimi i inputeve fiktive dhe dallimi i aktivitetit real të subjekteve, për të shmangur abuzimet fiskale.
Administrata paralajmëron masa administrative ndaj çdo subjekti që nuk respekton detyrimin për dokumentimin e transaksioneve me faturë tatimore. Paralelisht, fermerët inkurajohen të kërkojnë faturë për çdo shitje të kryer ndaj subjekteve të regjistruara, duke përfituar edhe kompensimin prej 10% mbi vlerën e furnizimeve të dokumentuara me faturë, për një periudhë 6-mujore.
Aplikimet për përfitimin e këtij kompensimi do të nisin më 1 korrik. Sipas Tatimeve, kjo skemë synon të rrisë transparencën, të nxisë konkurrencën e ndershme dhe të forcojë formalizimin e ekonomisë në sektorin bujqësor.