Secondary Adv

83.3 mln lekë për pikat e zeza në rrugë, ARRSH gati tenderin për 2026

Autoriteti Rrugor Shqiptar do të hapë një tender me vlerë 83.3 milionë lekë për ndërhyrje në segmentet më problematike të rrjetit rrugor kombëtar.

Fokus te siguria rrugore

Procedura e re e prokurimit synon identifikimin dhe përmirësimin e të ashtuquajturave “pika të zeza”, segmente rrugore me rrezikshmëri të lartë për aksidente. Ndërhyrjet do të përfshijnë vendosjen e elementëve të sigurisë rrugore dhe përmirësime infrastrukturore, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve.

 

Tenderi pritet brenda vitit

Sipas të dhënave të publikuara, edhe pse ende nuk janë bërë të ditura konkretisht akset që do të përfshihen, procedura pritet të zhvillohet në muajt në vijim dhe të përfundojë brenda vitit 2026. Ky projekt është pjesë e një serie ndërhyrjesh që ARRSH ka ndërmarrë vitet e fundit për rritjen e sigurisë në rrugët kombëtare.

 

Aksidentet mbeten shqetësim

Nevoja për ndërhyrje mbetet e lartë, pasi të dhënat tregojnë se aksidentet rrugore vijojnë të jenë problematikë. Sipas statistikave, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 1,375 aksidente, me një rënie prej 17.5 për qind krahasuar me vitin 2024.

 

Faktor kryesor, sjellja e drejtuesve

Pjesa më e madhe e aksidenteve, rreth 87.7 për qind, lidhen me sjelljen e drejtuesve të mjeteve. Grupmosha 25–34 vjeç rezulton më e përfshira në aksidente, duke e bërë këtë kategori një nga më të rrezikuarat në rrugë.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat