Secondary Adv

Rritja e çmimeve të hidrokarbureve solli 5 mln euro më shumë në buxhetin e shtetit

Rritja e çmimeve të karburanteve ka shtuar të ardhurat në buxhetin e shtetit me rreth 5 milionë euro, pavarësisht lehtësimit fiskal për qytetarët.

Miratohet ulja e akcizës me 20%

Komisioni i Ligjeve ka miratuar aktin normativ që parashikon uljen e akcizës me 20% në rastet kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe ai i benzinës mbi 200 lekë për litër. Kjo masë do të qëndrojë në fuqi përkohësisht, gjatë periudhës së ndikimit nga zhvillimet në Lindjen e Mesme.

 

Zëvendësministri i Financave, Andi Mehmeti, sqaroi se ulja e akcizës ndikon edhe në uljen e TVSH-së, duke sjellë një reduktim total prej rreth 9.5 lekësh për litër. Kjo skemë u aplikua për herë të parë më 3 prill, kur çmimi i naftës arriti në 233 lekë për litër, por konsumatorët paguan 224 lekë falë uljes së taksës.

 

Të ardhurat rriten pavarësisht lehtësimit

Pavarësisht kësaj mase lehtësuese, rritja e çmimeve ka ndikuar pozitivisht në të ardhurat buxhetore. Sipas të dhënave zyrtare, buxheti ka përfituar rreth 553 milionë lekë shtesë, ndërsa konsumi është rritur me rreth 2 mijë tonë ose 3% më shumë krahasuar me marsin e vitit 2025.

 

Në të kundërt, efekti negativ nga ulja e akcizës për periudhën 1–24 prill ka qenë relativisht i ulët, vetëm 37 milionë lekë, çka sipas autoriteteve tregon se ndikimi në të ardhurat e shtetit mbetet i kufizuar.

 

Debat për taksën e qarkullimit

Në komisionet parlamentare u diskutua edhe një nismë e deputetit të Partisë Demokratike, Eno Bozdo, për uljen e taksës së qarkullimit me 20 lekë për litër, duke e kthyer atë në nivelin e vitit 2013. Sipas tij, kjo do të sillte një ulje të mëtejshme të çmimit të karburanteve për qytetarët.

 

Megjithatë, kjo nismë nuk mori mbështetje, pasi mazhoranca argumentoi se masat aktuale janë të mjaftueshme për të përballuar situatën dhe për të mbajtur nën kontroll çmimet në treg.

 

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat